Kreu i puçit në Mianmar njofton zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri në vitin 2023

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Mianmarit, Gjeneral Min Aung Hlaing, i cili mori pushtetin me një grusht shteti ushtarak në vend, tha se dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme do të zgjasin deri në gusht 2023 dhe se do të përgatiten për zgjedhje të përgjithshme shumëpartiake pa të meta, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne duhet të krijojmë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të lira dhe të drejta shumëpartiake. Ne duhet të përgatitemi. Unë premtoj se do të mbaj zgjedhjet e përgjithshme shumëpartiake pa asnjë të metë”, tha Hlaing në një fjalim televiziv.

Duke deklaruar se autoritetet ushtarake “do të përmbushin dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme deri në gusht 2023”, Hlaing theksoi se është gati të bashkëpunojë me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), përfshirë “dialogun me të dërguarin special” të kësaj organizate në Mianmar.

Grushti i shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri tani, mijëra persona janë arrestuar, ndërsa 939 kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve kryengritëse.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest. /aa