Krizës humanitare në Rripin e Gazës po i shtohet një tjetër dimension tragjik: uria e shkaktuar nga njeriu. Për të gjashtën javë radhazi, Izraeli ka bllokuar hyrjen e të gjitha ndihmave humanitare, duke e përkeqësuar situatën e civilëve që tashmë përballen me mungesë ekstreme të ushqimit, ujit dhe kujdesit mjekësor.
Organizatat ndërkombëtare po paralajmërojnë për një katastrofë në rritje. Mijëra familje po mbijetojnë me minimumin jetik, ndërsa fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit. Pamjet nga terreni tregojnë fëmijë të kequshqyer dhe radhë të gjata njerëzish që presin për një racion ushqimor që shpesh nuk mbërrin kurrë.
“Po përballemi me një krizë urie të shkaktuar nga dora e njeriut. Ky nuk është një fatkeqësi natyrore, por rezultat i drejtpërdrejtë i bllokadës së plotë të ndihmave,” tha një zëdhënës i OKB-së.
Që nga fillimi i konfliktit, dhjetëra pika hyrëse për ndihma janë mbyllur ose penguar nga kontrolli ushtarak, duke e bërë të pamundur shpërndarjen efektive të ndihmave. Përpjekjet ndërkombëtare për të hapur korridore humanitare janë përballur me refuzime të njëpasnjëshme.
Ndërkohë, thirrjet globale për ndërhyrje të menjëhershme po shtohen. Aktivistët, organizatat humanitare dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë kërkojnë hapjen e menjëhershme të rrugëve për ndihma dhe fundin e bllokadës që po kthen Gazën në një kamp urie në shekullin XXI.