Rreth 110 mijë konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ende nuk e kanë nënshkruar kontratën për shërbime, ndërsa kompania ka paralajmëruar se mosnënshkrimi i saj brenda 10 ditësh nga dorëzimi nënkupton refuzim të shërbimit dhe mund të çojë në shkyçje nga rrjeti i furnizimit me ujë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku, bëri të ditur se më 4 mars ka nisur një fushatë për ndërgjegjësimin e konsumatorëve të kyçur në sistemin publik të ujësjellësit për nënshkrimin e kontratës, duke e cilësuar atë obligim ligjor për të dyja palët.
“Me datën 4 mars ne si Kompani Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kemi filluar një fushatë për ndërgjegjësimin e konsumatorëve të cilët janë të kyçur në sistemin publik të ujësjellësit që të nënshkruajnë kontratën për shërbime. Ky është një obligim ligjor, është i detyrueshëm edhe për ne si kompani edhe për konsumatorin në veçanti. Kontrata përcakton qartë të gjitha të drejtat dhe obligimet që përfshihen në mes të të dyja palëve, sepse në moment që ne e ofrojmë një shërbim dhe pala e merr shërbimin, është e detyrueshme që të nënshkruajë kontratë për shërbime si për çdo shërbim tjetër”, tha ajo.
Mjeku theksoi se konsumatorët që refuzojnë ta nënshkruajnë kontratën duhet të japin arsye, në të kundërtën, sipas saj, kompania është e obliguar të veprojë.
“Konsumatori i cili e refuzon ta nënshkruajë kontratën, duhet të japë arsye se pse nuk po e nënshkruan kontratën. Në të kundërtën, ne keq ndoshta ta themi, por jemi të obliguar dhe të detyruar që në afat kohor prej 10 ditësh në momentin që u dorëzohet kontrata konsumatorit, nëse nuk e nënshkruan, ai automatikisht edhe e refuzon shërbimin nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina dhe në këtë mënyrë mund të shkyçet nga shërbimi i rrjetit të furnizimit me ujë”, tha ajo.
Ajo sqaroi se kontrata rregullon marrëdhëniet juridike ndërmjet palëve, përfshirë të drejtat dhe obligimet, kriteret dhe kushtet për ofrimin e shërbimeve dhe pagesën e tyre, si dhe se kompania i nënshtrohet rregullave të miratuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit lidhur me tarifat, kushtet e ofrimit dhe procedurat për zgjidhjen e kontesteve.
“Kontrata është shumë e qartë, pra rregullon marrëdhëniet juridike, gjegjësisht të drejtat dhe obligimet. Kontrata i përcakton pra kriteret dhe kushtet lidhur me ofrimin e shërbimeve dhe pagesën e konsumatorit ndaj ofrimit të shërbimeve. Po ashtu, ofruesi i shërbimeve i nënshtrohet rregullave të miratuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit për kushtet e ofrimit të shërbimeve, caktimin e tarifave, procedurave për zgjidhjen e kontesteve si dhe çështjeve tjera të ndërlidhura me konsumatorin”, tha ajo.
Mjeku, shtoi se nënshkrimi i kontratës mund të bëhet në drejtorinë e ujësjellësit apo në cilëndo pikë arkëtimi të KRU “Prishtina”, duke theksuar se konsumatorët mund ta kryejnë këtë obligim njëkohësisht me pagesën e faturës së ujit.
“Kjo nuk është asgjë e dëmshme as për ne si kompani as për konsumatorin që ta nënshkruajnë kontratën dhe secili prej tyre aty ku e ka më afër mund të paraqitet, jo vetëm në drejtorinë e ujësjellësit por në cilëndo pikë të arkëtimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina. Ata që jetojnë në Dardani munden në pikën e arkëtimit në Dardani, dhe kështu me radhë të gjitha lagjet aty ku e kanë më afër. Në këtë rast mund ta shfrytëzojnë të drejtën të paguajnë ndonjë faturë të ujit dhe automatikisht aty për aty ta kryejnë këtë obligim ligjor”, tha ajo.
Mjeku bëri të ditur se aktualisht rreth 70 mijë konsumatorë e kanë të nënshkruar kontratën, ndërsa nga gjithsej 180 mijë konsumatorë, pjesa tjetër duhet ta kryejë këtë obligim sa më parë.
