Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryebashkiaku i New Yorkut, Mamdani, bëri betimin mbi Kuranin e shekullit të...

Kryebashkiaku i New Yorkut, Mamdani, bëri betimin mbi Kuranin e shekullit të 18-të të kopjuar në Sirinë Osmane

Kryebashkiaku i Qytetit të New Yorkut, Zohran Mamdani, tha të mërkurën se bëri betimin gjatë inaugurimit të tij duke përdorur një Kuran të shekullit të 18-të të kopjuar në Sirinë Osmane, transmeton Anadolu.

Sipas Mamdanit, dorëshkrimi i përkiste Arturo Schomburg, një studiuesi dhe bibliofil me ngjyrë të lindur në Porto Riko, i cili ia shiti koleksionin e tij prej 4.000 librash Bibliotekës Publike të New Yorkut në vitin 1926.

“Ky dorëshkrim u kopjua në Sirinë Osmane dhe është shkruar me bojë të zezë me të kuqe që nxjerr në pah ndarjet e tekstit – pa dekorime të zbukuruara, i përkiste lexuesit të përditshëm dhe tani u përket të gjithë banorëve të New Yorkut si pjesë e kapitullit të ardhshëm të qytetit tonë”, tha ai.

Ai nënvizoi se qytetarët do të jenë në gjendje ta gjejnë dorëshkrimin në degën kryesore të Bibliotekës Publike të New Yorkut, e cila hap dyert e saj të mërkurën.

Sipas bibliotekës, Schomburg ishte bashkëthemelues i Las Dos Antillas, një organizatë politike revolucionare antikolonialiste që avokonte për pavarësinë e Kubës dhe Porto Rikos.

“Ky Kuran specifik, të cilin Arturo Schomburg e ruajti për njohurinë dhe kënaqësinë e të gjithë njujorkezëve, simbolizon një histori më të madhe të përfshirjes, përfaqësimit dhe vetëdijes qytetare”, tha Anthony W. Marx, president dhe drejtor ekzekutiv i bibliotekës.

Mamdani u betua publikisht si kryetari i 112-të i bashkisë së qytetit të New Yorkut të enjten e javës së kaluar gjatë një ceremonie publike në Bashkinë e Qytetit, duke u bërë myslimani i parë dhe nga Azia Jugore që drejton qytetin më të madh të SHBA-së, duke bërë betimin mbi Kuranin.

Përveçse është myslimani i parë që drejton qytetin më të madh të SHBA-së, Mamdani 34-vjeç, është personi më i ri në breza dhe kryetari i parë i bashkisë së qytetit të New Yorkut që ka lindur në Afrikë. Ai lindi në Kampala, Ugandë, nga prindër emigrantë indianë.

Ai fitoi garën për kryetar bashkie në zgjedhjet e 4 nëntorit, duke mposhtur ish-guvernatorin e New Yorkut, Andrew Cuomo, dhe kandidatin republikan Curtis Sliwa, duke shënuar një fitore historike për krahun progresiv të Partisë Demokratike.

Mamdani u bë i njohur pasi fitoi një vend në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut në vitin 2020, duke përfaqësuar pjesë të Queens.

Gjatë fushatës së tij, ai u përqendrua në përballueshmërinë dhe zgjerimin e shërbimeve sociale, duke premtuar autobusë publikë falas, kujdes universal për fëmijët, dyqane ushqimore të drejtuara nga qyteti, zgjerim të banesave me qira të stabilizuar dhe rritjen e pagës minimale në 30 dollarë në orë deri në vitin 2030.

Exit mobile version