Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha sot se koordinimi i ngushtë dhe konsultimet e rregullta midis Turqisë dhe Iranit janë thelbësore për të adresuar sfidat rajonale, transmeton Anadolu.
Duke folur për televizionin shtetëror iranian gjatë vizitës së tij zyrtare në Stamboll, Araghchi tha se udhëtimi, i planifikuar muaj më parë, vjen pas vizitës së ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan dhe synon të diskutojë çështjet dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare.
“Irani dhe Turqia janë vende të mëdha fqinje që gjithmonë kanë mbajtur konsultime të ngushta. Ne ndajmë lidhje të forta në fushat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore dhe konsultohemi rregullisht për çështjet rajonale”, tha Araghchi.
Ai theksoi se objektivat e vendosura nga SHBA-ja dhe aktorë të tjerë e bëjnë të domosdoshme që të dy vendet të koordinojnë qëndrimet, të rishikojnë zhvillimet rajonale dhe të shkëmbejnë pikëpamje se si të përballen me sfidat aktuale.
Duke komentuar vendimin e fundit të Evropës për të shpallur Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) si organizatë terroriste, Araghchi e kritikoi këtë veprim si një “gabim të madh strategjik”.
“Evropa është një kontinent në rënie dhe po humbet gjithnjë e më shumë rolin e saj në skenën ndërkombëtare, një proces që për fat të keq po përshpejtohet”, tha ai.
Araghchi shtoi se vendime të tilla përjetësojnë gabimet e mëparshme strategjike, siç është trajtimi nga Evropa i të ashtuquajturit mekanizëm “snapback” dhe se Evropa përfundimisht do ta pranojë gabimin e saj.
Është planifikuar që kryediplomati iranian të takohet me Fidanin dhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës.
