Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeipeshkvi ushtarak amerikan: Lufta me Iranin nuk përmbush standardet morale të Kishës...

Kryeipeshkvi ushtarak amerikan: Lufta me Iranin nuk përmbush standardet morale të Kishës Katolike

Timothy Broglio

Kryeipeshkvi katolik përgjegjës për të gjithë personelin ushtarak amerikan, Timothy Broglio, ka deklaruar se lufta e SHBA-së me Iranin nuk përmbush kriteret morale të kishës për një konflikt të drejtë, transmeton Anadolu.

Kryeipeshkvi Broglio, i cili drejton dioqezën për shërbimet ushtarake dhe mbikëqyr çdo kapelan katolik në forcat e armatosura amerikane, i bëri këto komente për CBS News në një intervistë që pritet të transmetohet më 5 prill, të dielën e Pashkëve, një nga ditët më të shenjta për katolikët dhe besimtarët e krishterimit perëndimor.

Në pjesë të publikuara nga intervista, kur u pyet drejtpërdrejt nëse konflikti është i justifikuar, Broglio u përgjigj se “sipas teorisë së luftës së drejtë, jo”. Ai argumentoi se lufta synon një kërcënim të mundshëm bërthamor dhe jo një të menjëhershëm.

Duke argumentuar nevojën për luftë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka pretenduar se ekzistonte një kërcënim i afërt nga Irani.

Broglio i këshilloi trupave katolike që ndodhen mes detyrës ushtarake dhe ndërgjegjes personale të “bëjnë sa më pak dëm që të jetë e mundur dhe të ruajnë jetët e të pafajshmëve”.

Ai gjithashtu kritikoi deklaratat e përsëritura publike të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili ka përmendur Jezu Krishtin për ta paraqitur luftën si të drejtë, duke i quajtur ato “problematike”.

“Është e vështirë ta paraqesësh këtë luftë si diçka që do të mbështetej nga Zoti”, tha ai, duke theksuar se Jezusi “solli një mesazh paqeje”.

Intervista pritet të transmetohet ndërkohë që Papa Leoni ka dënuar publikisht konfliktin dhe derisa lufta ka hyrë në muajin e saj të dytë.

Ndër katolikët e njohur në pozita të rëndësishme publike në SHBA është edhe zv/presidenti JD Vance, i cili u konvertua në këtë besim në vitin 2019 dhe së fundmi ka publikuar një libër për konvertimin e tij. Vance u takua me Papa Leonin të dielën e kaluar të Pashkëve, më 20 prill 2025, në Vatikan.

Exit mobile version