Kryeministri armen deklaron gatishmërinë për të nënshkruar projektmarrëveshjen e paqes me Azerbajxhanin

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, deklaroi sot gatishmërinë e tij për të nënshkruar draftin e marrëveshjes së paqes të rënë dakord midis vendit të tij dhe Azerbajxhanit fqinj, transmeton Anadolu.

“Drafti i Marrëveshjes së Paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit është rënë dakord dhe pret të nënshkruhet. Unë jam gati të vendos nënshkrimin tim në draftin e rënë dakord”, tha Pashinyan në një deklaratë në X.

Komentet e Pashinyanit erdhën pasi Azerbajxhani dhe Armenia njoftuan veçmas një marrëveshje mbi draftin e një marrëveshjeje paqeje të enjten e kaluar, e cila do t’i jepte fund konfliktit dhjetëravjeçar dhe do të vendoste lidhje diplomatike midis Bakusë dhe Jerevanit.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun – një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit – dhe shtatë rajone ngjitur.

Pjesa më e madhe e territorit u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi pas një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, që hapi derën për bisedimet për normalizimin dhe demarkacionin.

Në shtator 2023, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë në Karabak pasi forcat separatiste në rajon u dorëzuan.