Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri australian e cilëson si “krizë kombëtare” dhunën në familje

Kryeministri australian e cilëson si “krizë kombëtare” dhunën në familje

Anthony Albanese

Pas protestave të mbajtura kundër dhunës në të gjithë vendin, kryeministri i Australisë, Anthony Albanese e cilësoi si “krizë kombëtare” dhunën në familje, transmeton Anadolu.

Albanese bëri vlerësime në televizionin “Nine Network”, në lidhje me protestat e mbajtura me qëllimin për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës së grave që kanë humbur jetën për shkak të dhunës në familje në Australi.

Ai tha se këto protesta janë thirrje për qeverinë për të parandaluar dhunën me bazë gjinore. Albanese theksoi se duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj thirrjeje dhe se “nuk mjafton vetëm krijimi i ndjeshmërisë”.

“Fakti që mesatarisht një grua vdes në çdo 4 ditë nga duart e partnerit të saj, është krizë kombëtare”, tha kryeministri australian. Albanese u përball me reagimin e ashpër të protestuesve në një tubim ku ai mori pjesë në Kanberra.

Përderisa protestuesit brohoritën kundër kryeministrit Albanese me sloganet “Kaloni në veprim” dhe “Kryeni detyrën tuaj” ata theksuan se kryeministri duhet të parandalojë dhunën dhe të fokusohet mbi kriminelët.

Në Australi gjatë fundjavës në të gjithë vendin u mbajtën 17 protesta të ndryshme me qëllimin për të tërhequr vëmendjen mbi dhunën ndaj grave. Thuhet se në protestën e mbajtur në Melburn morën pjesë rreth 15 mijë njerëz.

Exit mobile version