Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri australian kërkon falje për të shtënat në Bondi Beach, premton reforma...

Kryeministri australian kërkon falje për të shtënat në Bondi Beach, premton reforma të gjera

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese kërkoi falje publikisht sot për të shtënat e fundit në Bondi Beach dhe njoftoi reforma të gjera, transmeton Anadolu.

Gjatë një konference për mediat në Parlamentin e Canberras, kryeministri Albanese tha se qeveria e tij do të punojë çdo ditë për të mbrojtur qytetarët australianë.

“Ndjej peshën e përgjegjësisë për një mizori që ndodhi derisa unë jam kryeministër. Dhe më vjen keq”, u tha ai gazetarëve, sipas një transkripti të publikuar në faqen e internetit të kryeministrit.

Albanese njoftoi një sërë propozimesh legjislative që synojnë forcimin e mbrojtjes kundër krimeve të urrejtjes dhe aktivitetit ekstremist, duke theksuar konsultimin e gjerë me të dy komunitetet dhe Parlamentin.

Masat e propozuara përfshijnë krijimin e një vepre penale të rënduar për predikimin e urrejtjes që mbështet dhunën kundër grupeve të mbrojtura dhe rritjen e dënimeve për gjuhën e urrejtjes ose mbështetjen e dhunës dhe shkatërrimin e pronës.

Qeveria shqyrton dhënien e kompetencave për të anuluar vizat për individët që angazhohen në gjuhën e urrejtjes, shfaqin simbole urrejtjeje ose shoqërohen me grupe terroriste ose të ndaluara. Sipas kryeministrit, ata kërkojnë të ndryshojnë Aktin Doganor për të ndaluar materialet ekstremiste ose simbolet e urrejtjes.

Albanese shtoi se zyrtarët e shtetit dhe territorit po punojnë së bashku për të koordinuar ndryshimet në reformat e ligjit për armët. Të dielën, Albanese tha se agjencitë federale të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit të vendit do të rishikohen pas të shtënave masive të 14 dhjetorit në plazhin Bondi të Sidneit.

Rishikimi do të përfundojë në prill dhe do të publikohet. Javën e kaluar, një babë e bir hapën zjarr në plazhin e Sidneit, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur 42 të tjerë. Policia e përshkroi incidentin si një “sulm terrorist”.

Exit mobile version