Kryeministri australian: Lidhjet Australi-Kinë të rëndësishme për ekonominë dhe sigurinë tonë

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese,

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka deklaruar se lidhjet e vendit të tij me Kinën janë të rëndësishme për “ekonominë, sigurinë dhe stabilitetin tonë rajonal”, transmeton Anadolu.

“Marrëdhënia e Australisë me Kinën është ndërtuar mbi lidhje të forta midis popujve tanë. Është e rëndësishme për ekonominë, sigurinë dhe stabilitetin tonë rajonal”, tha Albanese në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Duke pasur dialog të rregullt dhe të drejtpërdrejtë, theksoi Albanese, “mund të eksplorojmë fushat e bashkëpunimit, të lundrojmë në dallimet tona dhe të mbrojmë interesat e Australisë”.

Komentet e tij erdhën pasi ai priti në Kanberra ligjvënësin më të lartë të Kinës, Zhao Leji, i cili qëndron për vizitë në Australi që nga e shtuna, me ftesë të kryetares së Senatit të Australisë, Sue Lines dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Milton Dick

Zhao, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e Kinës për të promovuar një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës më të pjekur, të qëndrueshëm dhe produktiv” me Australinë.

Zhao u takua me Guvernatoren e Përgjithshme të Australisë, Samantha Mostyn dhe mori pjesë në një mëngjes pune të mbajtur nga Albanese në Kanberra. Ai gjithashtu zhvilloi bisedime me Lines dhe Dick.

“Nuk ka konflikt themelor të interesave midis Kinës dhe Australisë”, tha Zhao, duke shtuar se Kina është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me Australinë në fusha të tilla si energjia dhe burimet minerale, inovacioni shkencor dhe teknologjik, si dhe ekonomia digjitale dhe infrastruktura.

Të dyja palët gjithashtu diskutuan bashkëpunimin dypalësh në ekonomi, tregti, kulturë, arsim, tranzicion energjetik dhe ndryshime klimatike.