Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri belg: Izraeli “dyfish përgjegjës” për vrasjen e punonjësit humanitar belg dhe...

Kryeministri belg: Izraeli “dyfish përgjegjës” për vrasjen e punonjësit humanitar belg dhe djalit të tij në Gaza

Alexander De Croo

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, ka deklaruar se Izraeli është “dyfish përgjegjës” për vrasjen e një punonjësi humanitar belg dhe familjes së tij në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Siç raportojnë mediat lokale, kryeministri De Croo i përshkroi vdekjet si “lajm tragjik” gjatë një seance plenare në dhomën e ulët të parlamentit.

De Croo theksoi se Izraeli është përgjegjës sepse së pari vendi duhet të bëjë gjithçka të mundshme për të shmangur bombardimin e punonjësve humanitar dhe së dyti sepse Belgjika prej muajsh ka kërkuar autorizimin që punonjësit humanitar belgë të largohen nga Gaza.

“Ata e kanë refuzuar këtë për katër muaj. Çdo ditë vriten njerëz dhe fëmijë të pafajshëm. E nderuara qeveri izraelite, kjo duhet të ndalohet. Tani”, tha De Croo.

Ai shtoi se Belgjika është e etur për të njohur shtetin e Palestinës, por theksoi ai, “kjo duhet të jetë pjesë e një procesi të paqes dhe reformave politike të nevojshme nga të dyja palët”.

Më herët, ministrja belge e Bashkëpunimit, Caroline Gennez, njoftoi vdekjen e “Abdallah Nabhan-it (33) dhe djalit të tij 7-vjeçar Jamal, pas një sulmi ajror izraelit mbrëmë në pjesën lindore të qytetit Rafah”.

Ministrja belge e Punëve të Jashtme, Hadja Lahbib, në rrjetet sociale përsëriti se “bombardimi i zonave dhe popullsisë civile është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

Lahbib tha se do të “thërrasë ambasadorin izraelit për të dënuar këtë akt të papranueshëm dhe për të kërkuar shpjegim”.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.300 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite dhe të paktën 77.300 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave thelbësore.

Më shumë se gjashtë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, sipas OKB-së, zona të gjera të Gazës janë në gërmadha duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Exit mobile version