Kryeministri britanik shpreh keqardhje për deklaratat e tij në të kaluarën ndaj grave muslimane

Boris Johnson

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka shprehur keqardhje për lëndimin dhe pakënaqësinë që kanë shkaktuar deklaratat e tij në të kaluarën ndaj grave muslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Johnson foli lidhur me raportin e hartuar nën kryesimin e Prof. Swaran Singh, lektorin në Universitetin Warwick, i cili përmban rezultatet e hetimit që ka zbuluar dimensionet anti-islame dhe të diskriminimit në Partinë Konservatore.

Lidhur me deklaratat e tij në një artikull të shkruar në vitin 2018 për gazetën britanike “The Telegraph”, ku gratë muslimane që mbajnë Burka dhe Niqab i ka krahasuar me “grabitës bankash” dhe “kuti postare”, Johnson theksoi se, “E di që ka një zemërim kundër gjërave që kam thënë. Njerëzit presin që dikush në pozicionin tim të bëjë gjëra të drejta, por në gazetari gjuhën duhet ta përdorni lirshëm. Për këtë arsye, shpreh hapur keqardhje për çdo zemërim. A do ta përdorja sot një pjesë të gjuhës fyese në shkrimet e mia në të kaluarën? Tani që jam kryeministër, nuk e përdor”.

Në anën tjetër, Johnson ka pretenduar se artikulli që kishte shkruar është një mbrojtje liberale e të drejtës së një gruaje muslimane për të zgjedhur atë që vesh.

Ndërsa grupi kundër racizmit “Hope Not Hate”, deklaratat e kryeministrit Johnson i ka cilësuar si “të pa sinqerta dhe false”.

– Në Britani raportohen qëndrimet anti-islame dhe diskriminuese të Partisë Konservatore në pushtet

Një hetim i zhvilluar në vend zbuloi dimensionet anti-islame dhe diskriminuese të Partisë Konservatore në pushtet.

Në raportin ku janë rezultatet e hetimit të kryer nën kryesimin e Singh, thuhet se janë regjistruar 1.418 ankesa lidhur me 727 diskriminime të Partisë Konservatore në vitet 2015-2020. Dy të tretat e këtyre lidhen me qëndrimet anti-islame dhe tre të katërtat e ngjarjeve në bazën e të dhënave të ankesave të partisë përfshijnë aktivitetet e medias sociale.

Po ashtu në raport thuhet se janë zbatuar sanksione ndaj 231 personave për të cilët ka pasur ankesa me akuzën se kanë kryer diskriminim, përfshirë edhe qasjet anti-islame, se 50 për qind e këtyre janë larguar nga partia dhe 29 për qind u përjashtuan nga partia, ndërsa për shkak të pamjaftueshmërisë së provave nuk janë kryer veprime ndaj 481 ngjarjeve.

“Mendimi kundër Islamit brenda partisë vazhdon të jetë një problem. Kjo dëmton partinë dhe tjetërson një pjesë të rëndësishme të shoqërisë”, thuhet në raport.

Gjithashtu raporti ka vërtetuar se krahasimi si “grabitës bankash” dhe “kuti postare” i bërë nga Johnson për gratë muslimane që veshin Burka dhe Niqab ka rritur edhe “përshtypjen se Partia Konservatore është e pandjeshme kundër muslimanëve”.

Në artikullin e tij të shkruar në vitin 2018 për gazetën “The Telegraph”, Johnson, ishte shprehur se, “Nëse më thoni mua se Burka është shtypëse atëherë unë u bashkohem juve. Nëse thoni se të presësh gratë të mbulojnë fytyrat e tyre është e çuditshme dhe tirani, edhe kësaj i bashkohem kategorikisht. Nëse do të më duhet të shkoj më tej, do të shpreh se është kategorikisht qesharake që të zgjedhin të shëtisin përreth si ‘kuti postare'”. /aa