Kryeministri i Kuvajtit Al-Sabah theksoi rëndësinë e përpjekjeve për krijimin e shtetit të pavarur palestinez

Sabah Al-Khalid Al-Sabah

Kryeministri i Kuvajtit Sabah Al-Khalid Al-Sabah i bëri thirrje Iranit të zvogëlojë tensionet në rajonin e Gjirit dhe të ruajë sigurinë e lundrimit detar, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, Al-Sabah preku çështjet e sigurisë së Gjirit, çështjen palestineze, krizën siriane dhe situatën në Afganistan.

Ai i bëri thirrje Iranit të ruajë sigurinë e lundrimit detar në rajonin e Gjirit, të zvogëlojë tensionet dhe të ndërmarrë hapa seriozë për të ndërtuar besimin dhe të nisë një dialog të bazuar në respektimin e sovranitetit të shteteve.

Duke prekur çështjen palestineze, Al-Sabah tha se paqëndrueshmëria në rajon do të vazhdojë nëse populli palestinez nuk do të ushtrojë të drejtat e tij legjitime politike dhe nëse Izraeli nuk do të ndalojë së shkeluri ligjet ndërkombëtare.

Ai theksoi rëndësinë e përpjekjeve për të vazhduar bisedimet e paqes nën rezolutat legjitime ndërkombëtare dhe Nismën Arabe të Paqes me qëllim krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor.

Duke iu referuar krizës siriane, Al-Sabah tha se zgjidhja në Siri nuk mund të arrihet me mjete ushtarake dhe se është e nevojshme një zgjidhje politike.

Sa i përket situatës në Afganistan, ai u bëri thirrje talibanëve dhe të gjitha palëve që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të parandaluar gjakderdhjen, të sigurojnë mbrojtje të plotë për civilët dhe të respektojnë detyrimet ndërkombëtare. /aa