Kryeministri palestinez shpreh kënaqësinë nga vizita e Mevlut Çavusoglu në vendin e tij

Mohammed Ishtiyye

Kryeministri palestinez Mohammed Ishtiyye shprehu kënaqësinë e madhe për vizitën e sotme të ministrit të Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu në Palestinë.

Kryeministri palestinez Mohammed Ishtiyye, i cili ndodhet në qytetin zviceran Davos për Forumin Ekonomik Botëror (WEF), i njohur gjithashtu si Samiti i Davosit, u prononcua në interes të gazetarëve.

Duke iu referuar vizitave të ardhshme të ministrit Çavusoglu në Palestinë dhe Izrael në 24-25 maj, Kryeministri Ishtiyye tha se gjatë vizitës do të zhvillohen konsultime palestinezo-turke në fushën e politikës dhe bashkëpunimit.

“Si mik, ne e mirëpresim ministrin (Çavusoglu) me sinqeritet. Kështu është edhe zyrtarisht. Kjo (vizitë) është e rëndësishme për të vazhduar hapjen e fushave të reja për bashkëpunim. Jemi shumë të kënaqur me vizitën e Çavusoglu dhe ai do të pritet në mënyrë më të mirë”, deklaroi shefi i qeverisë palestineze.

Ishtiyye tha se Çavusoglu do të pritet edhe nga Presidenti palestinez Mahmud Abbas dhe është planifikuar një takim dypalësh me ministrin e Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki.

Nëdërkaq Kryeministri palestinez, në lidhje me vizitën e Çavusoglu në Izrael, tha: “Kjo është çështje e brendshme e Turqisë. Ne e kuptojmë se Turqia duhet të ridizajnojë marrëdhëniet ndërkombëtare.”

Ai gjithashtu vuri në dukje se “Turqia mbështet me vendosmëri Palestinën, të drejtat e Palestinës dhe një shtet të pavarur palestinez. Për më tepër, Turqia vazhdimisht bën thirrje për t’i dhënë fund pushtimit (nga Izraeli). Prandaj, çdo masë duhet të jetë në drejtim të përfundimit të pushtimit dhe krijimit të një shteti palestinez të pavarur sovran. Një shtet me Jerusalemin si kryeqytet”. /trt