Kryeministri slloven: Nëse BE-ja nuk zgjerohet në Ballkan, zgjerohet dikush tjetër

Janez Jansa

Gjatë udhëheqjes së presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, Sllovenia arriti të rikthente termin “perspektivë anëtarësimi” në dokumentet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Lindjes, në vend të termit “perspektivë evropiane”, tha kryeministri slloven Janez Jansa në një intervistë për televizionin publik slloven.

Sipas tij, një nga sukseset strategjike të Sllovenisë gjatë udhëheqjes së Presidencës, është kthimi në tryezë i zgjerimit si një nga projektet kryesore e strategjike të BE-së.

“E kam thënë shumë herë në këto debate se pas gjithçkaje që kemi parë në Lindje dhe çfarë kemi parë në Ballkan në dekadat e fundit, duhet të jetë e qartë se BE-ja duhet të zgjerohet, duke zgjeruar hapësirën e lirisë dhe prosperitetit dhe nëse BE-ja nuk zgjerohet, atëherë do të zgjerohet dikush tjetër”, tha Jansha, duke iu referuar ndikimit të Rusisë dhe Kinës. “Ukraina ose Serbia kanë perspektivë evropiane sepse janë në Evropë, por duan perspektivën e anëtarësimit. Ishte vështirë të shkruhej në dokumente dhe për të duhej të luftohej”.

Jansha akuzoi liderët e shteteve të BE-së për oportunizëm kur bëhet fjalë për Ballkanin. /koha