Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka dënuar ashpër ofensivën izraelite në Gaza, duke e përshkruar situatën si një “gjendje katastrofike gjenocidi”. Ai u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të pezullojnë menjëherë bashkëpunimin me Izraelin.
Duke folur para një samiti të BE-së në Bruksel, Sánchez iu referua një raporti të BE-së, i cili gjeti “indikacione” se Izraeli po shkel detyrimet për të drejtat e njeriut në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me bllokun evropian – marrëveshje që është bazë për marrëdhëniet tregtare.
Këto deklarata përbëjnë qëndrimin më të ashpër deri më tani nga kryeministri spanjoll, i cili më herët ka qenë një kritik i zëshëm i fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë më shumë se 56,000 palestinezë.
