Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka paralajmëruar se lufta që përfshin Iranin përbën “një kërcënim për paqen botërore”, transmeton Anadolu.
Duke folur në qytetin Huelva në rajonin Andaluzia së bashku me kryeministrin portugez, Luis Montenegro, Sanchez tha se përshkallëzimi ushtarak gjithashtu rrezikon të rrisë koston e jetesës.
Sanchez i përshkroi sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si “një gabim të jashtëzakonshëm” që tashmë po sjell pasoja.
“Ne tashmë po paguajmë për këtë përmes rritjes së çmimeve të karburantit dhe gazit, si dhe përmes numrit të viktimave dhe dhimbjes e vuajtjes në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Kryeministri spanjoll gjithashtu pranoi përplasjen e vazhdueshme të qeverisë së tij me Washingtonin. Madridi ka refuzuar të lejojë SHBA-në të përdorë bazat ajrore dhe detare në Spanjë për të nisur sulme ndaj Iranit, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me një “embargo” si përgjigje.
“Kam respekt të madh për presidencën amerikane dhe admirim për shoqërinë amerikane, por pozicioni i Spanjës është i qartë. Besoj se mes aleatëve është pozitive të mbështetim njëri-tjetrin kur dikush ka të drejtë dhe të theksojmë kur dikush po bën një gabim”, tha Sanchez.
Ai tha se Spanja e sheh marrëdhënien transatlantike si të bazuar në “hapje, respekt, besnikëri dhe barazi”.
Sanchez gjithashtu mbrojti vendimin e Spanjës për të dërguar një anije luftarake në Mesdheun Lindor për të ndihmuar në mbrojtjen e Administratës Greko Qipriote nga kërcënimet me raketa iraniane, duke theksuar se ky veprim është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Pse e mbështesim Ukrainën? Sepse ka një shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga një forcë pushtuese. Pse jemi në favor të kauzës palestineze dhe kundër gjenocidit në Gaza? Sepse ka një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri spanjoll.
Ai shtoi se kundërshtimi i Madridit ndaj luftës me Iranin reflekton edhe vullnetin e popullit spanjoll. Një sondazh për të përditshmen spanjolle El Pais, i publikuar sot, tregoi se më shumë se dy të tretat e spanjollëve kundërshtojnë sulmin ndaj Iranit.
