Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministrja daneze: Trumpi ende i interesuar ta marrë Grenlandën

Kryeministrja daneze: Trumpi ende i interesuar ta marrë Grenlandën

Mette Frederiksen

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon të ketë interesim shumë serioz për ta marrë Grenlandën.

Megjithatë, ajo ka përsëritur thirrjet se sovraniteti kombëtar duhet të respektohet, duke shtuar se populli i Grenlandës tashmë e ka bërë të qartë se nuk duan të bëhen amerikanë.

“Mendoj se dëshira nga presidenti amerikan është ende e njëjtë”, ka thënë ajo në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Frederiksen është shprehur e hapur për të diskutuar për rritjen e sigurisë në Arktik, por ajo ka thënë se ka kufi edhe në këtë çështje.

E pyetur nëse ajo është e gatshme ta caktojë një çmim për ishullin, nëse Trumpi vazhdon të bëjë presion, kryeministra daneze ka mohuar mundësitë.

“Sigurisht që jo. A mund t’ia caktoni ju çmimin një pjese të Spanjës, ose të SHBA-së, ose të cilësdo pjesë të botës?” është përgjigjur ajo.

Trumpi ka shkundur aleancat me partnerët e SHBA-së me kërkesën për ta marrë ishullin nën administrimin e Danimarkës. Megjithatë, pati qetësim të gjuhës kur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, njoftoi për dakordimin me sekretarin e NATO-s, Mark Rutte mbi “një kornizë për një marrëveshje për Grenlandën”

Exit mobile version