Kryeministrja finlandeze: Debati me Turqinë të trajtohet me qetësi dhe “duke korrigjuar keqkuptimet”

Sanna Marin

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin deklaroi se debatin për kundërshtimin e Turqisë ndaj aplikimit të vendit të saj dhe Suedisë për anëtarësim në NATO duhet ta trajtojnë “me qetësi dhe duke korrigjuar keqkuptimet” dhe tha se “çdo problem dhe diskutim mund të zgjidhet me mirëbesim”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministrja finlandeze Marin, e cila dje u takua në Romë me homologun italian Mario Draghi, ka zhvilluar një intervistë për gazetën Corriere della Sera.

Marin ka deklaruar se vendimi për t’u bërë anëtare e NATO-s është i rëndësishëm për ta për shkak të luftës që Rusia nisi ndaj fqinjit të saj Ukrainës.

“Të jesh anëtar i NATO-s do të thotë që kur Finlanda sulmohet, aleatët vijnë në mbrojtjen tonë në përputhje me Nenin 5 të Aleancës Atlantike. Natyrisht qe ne gjithashtu do të ndihmojmë aleatët në rast të një sulmi të tillë”, ka thënë Marin.

Duke kujtuar se Turqia kundërshton anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, Marin ka theksuar: “Mendoj se është e rëndësishme të qëndrojmë të qetë në negociatat me Turqinë dhe vendet e tjera dhe të korrigjojmë keqkuptimet duke iu përgjigjur pyetjeve. Çdo problem dhe diskutim mund të zgjidhet me mirëbesim”. /aa