Kryeministrja suedeze: Pres me padurim vazhdimin e negociatave me Turqinë

Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, ka njoftuar se kanë biseduar me Turqinë dhe se presin me padurim vazhdimin e negociatave dhe takimeve konstruktive në të ardhmen e afërt, raporton Anadolu Agency (AA).

Andersson u takua me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i cili ndodhet në kryeqytetin Stockholm për të marrë pjesë në një konferencë.

Në një konferencë për media pas takimit, Andersson foli për negociatat e NATO-s mes Turqisë dhe Suedisë.

“Me Turqinë kemi biseduar dhe se pres me padurim vazhdimin e negociatave dhe takimeve konstruktive në të ardhmen e afërt. Për këtë çështje veprojmë bashkë me Finlandën”, tha Andersson.

Lufta në Ukrainë dhe kriza ushqimore

Guterres, nga ana e tij, tha se dënon edhe njëherë pushtimin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe tha se duhet të ndërmerren hapa të shpejtë për të zgjidhur krizën ushqimore që ka shkaktuar lufta Ukrainë-Rusi.

“Kriza ushqimore që ka nxitur lufta do të ndikojë keq në vendet në zhvillim”, tha Guterres, duke bërë thirrje që të merren vendime të shpejta kundër krizës ushqimore për këto vende.

Guterres theksoi se prodhimi ushqimor i Ukrainës dhe prodhimi i plehut të Rusisë duhet të hyjnë sërish në tregun botëror.

Duke theksuar se ka nevojë për plehun që prodhon Rusia, Guterres deklaroi se, “Por më lejoni që të jem i sinqertë. Nuk ka një zgjidhje efektive për krizën ushqimore pa integrimin sërish në tregjet botërore të prodhimit ushqimor të Ukrainës, si dhe ushqimit dhe plehut që prodhon Rusia. Unë vazhdoj të tregoj çdo përpjekje të mundshme dhe të përdor qëllimet e mia të mira për të inkurajuar një dialog drejt këtij qëllimi”. /aa