Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë: Ta ndalim ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë me të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizohet procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të ndalet ofensiva diplomatike e Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

Nikolla pas takimit me kryeparlementarin Glauk Konjufca tha po ashtu se në të gjitha forumet ndërkombëtare duhet të theksohen krimet e Serbisë ndaj njerëzimit, gjenocidi etj.

“S’kemi kohë për të humbur. Të fillojmë me forca të shtuara, me një sinergji të re bashkëveprimi e bashkërendimi që rezultatet të jenë edhe më të prekshme.

E theksova edhe në fjalën time teksa mora detyrën në Shqipëri që bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Parlamentin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës sime në përgjegjësinë e lartë në drejtimin të punëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndaj, ne sot ramë dakord që vendet të nxisim bashkëpunimin e jo vetëm ta lëmë në planin emocional e të dëshirave, por të bashkërendojmë me plan konkret takimesh e agjendash politike të fokusuara për rezultate për qytetarët, edhe në Kosovë e Shqipëri.

Ne inkurajojmë mbledhjet e përbashkëta të qeverive, do të institucionalizojmë edhe mbledhjet e përbashkëta të komisioneve dhe delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare”, tha jo.

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë më tej tha “Duhet të bashkëpunojmë me të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

Të punojmë më shumë në të gjitha forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të dijë se Serbia ka kryer krime ndaj njerëzimit, gjenocid, krime lufte”, ka thënë ajo

Nikolla ka falënderuar Kosovën për ndihmë pas tërmetit në Shqipëri dhe për shuarjen e zjarreve gjatë verës.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se marrëdhëniet midis dy vende nuk mund të konsiderohen vetëm marrëdhënie miqësie e partneriteti, por vëllazërore.

Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën ndër vite dhe dekada, si në aspiratën për çlirim, ashtu edhe në arritjen e pavarësisë, konsolidimin e institucioneve demokratike, si dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë së saj.

“Ne vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Republikën e Shqipërisë dhe ato diktohen për shkak të një fakti të qartë dhe të thjeshtë, për të cilin është i vetëdijshëm çdo qytetar i Kosovës dhe Shqipërisë. E ky është fakti që jemi një komb, i cili jeton sot në dy shtete por edhe përtej tyre”, theksoi Konjufca.