Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryqi i Kuq: Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja...

Kryqi i Kuq: Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja katastrofike për miliona njerëz

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) paralajmëroi sot se përshkallëzimi i armiqësive në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja “katastrofike” për dhjetëra miliona njerëz, duke kërkuar përpjekje të menjëhershme për të mbrojtur civilët, transmeton Anadolu.

“Civilët po paguajnë një çmim të papranueshëm si rezultat i operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme”, tha në një deklaratë presidentja e KNKK-së, Mirjana Spoljaric. Ajo theksoi vdekjet, lëndimet dhe shkatërrimet e fundit në Arabinë Saudite, duke paralajmëruar për ndikimin shkatërrues të armiqësive mbi civilët.

Vdekjet, zhvendosjet dhe dëmtimet në infrastrukturën civile në Jemen, përfshirë Adenin dhe Sanan, janë rritur me një “shkallë alarmante”, vuri në dukje Spoljaric.

“Civilët dhe objektet civile duhet të kursehen nga sulmet”, theksoi ajo duke u kujtuar palëve në konflikt detyrimin e tyre për të dalluar midis objektivave civile dhe ushtarake.

Spoljaric paralajmëroi se sulmet në porte, aeroporte dhe infrastrukturë thelbësore mund të kenë pasoja të rënda për komunitetet që varen prej tyre.

“Një intensifikim i mëtejshëm i armiqësive do të ishte katastrofik për dhjetëra miliona njerëz”, theksoi ajo duke bërë thirrje për një deeskalim urgjent për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme të civilëve.

Arabia Saudite është përballur me një seri sulmesh në ditët e fundit në aeroporte dhe objekte civile mes një konfrontimi ushtarak në rritje me grupin Huthi të Jemenit.

Jemeni ka qenë në luftë që kur Huthit pushtuan kryeqytetin Sana dhe disa provinca në shtator 2014, përpara se një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit.

Eskalimi filloi në korrik të këtij viti pas një periudhe qetësie relative pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga OKB-ja hyri në fuqi në prill 2022.