Kufizimet priten me protesta/ Masa të ashpra në Gjermani, ndërsa SHBA paraqet plan vaksinimi

Në Gjermani, të gjithë personat e pavaksinuar do të përballen me kufizim të lirisë së qarkullimit në kushtet kur pasaporta shëndetësore kërkohet thuajse në çdo institucion. Nga ana tjetër, parlamenti po konsideron mundësinë që vaksinimi të bëhet me detyrim. E nëse miratohet, vendimi hyn në fuqi në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. Në Gjermani aktualisht janë vaksinuar plotësisht rreth 68 % e popullsisë.

Në Mynih shtrëngimi i masave u prit me protesta dhe reagime të forta. Të pavaksinuarit e konsiderojnë diskriminim vendimin e qeverisë duke u shprehur se e drejta për të zgjedhur, nuk duhet të cenohet.

Në përballjen me autoritetet, pati përplasje dhe arrestime. Ndërkohë, në rrjetet sociale janë lëshuar thirrjet për organizime masive gjatë fundjavës, jo vetëm në Gjermani por edhe në shumë shtete të tjera, ku qeveritë kanë paralajmëruar shtrëngimin e masave për menaxhimin e pandemisë. (efekte)

Sakaq, SHBA kanë forcuar kontrollin e udhëtarëve vendas dhe të huaj me qëllim shmangien e mbylljes, nën qarkullimin e variantit “Omicron”. Nga data 6 dhjetor të gjithë udhëtarët, pavarësisht shtetësisë apo statusit të vaksinimit, do të duhet të pajisen me test negativ për koronavirus, i cili do të jetë i vlefshëm vetëm një ditë.

Presidenti Joe Biden është zotuar të mos e detyrojë kombin në një bllokim tjetër, ndërsa deklaroi se vetëm vaksinimi masiv i popullatës amerikane nuk do ta zgjidhte problemin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi se SHBA do të ndihmojnë edhe vendet e tjera të botës, që të vaksinojnë popullsinë e tyre.