Ballina Artikuj Kurani – burimi i thirrësit

Kurani – burimi i thirrësit

Dr. Jusuf el-Karadavi (r.a)

Kurani Fisnik është burimi i parë i Islamit, d.m.th. i kulturës islame. Të gjithë shkencat islame duhet të bazohen në Kuran, siç janë akidja, parimet dhe principet, format e ibadetit, tiparet fetare, morali e etika, ligjet dhe kodet. Të gjitha këtyreve, Kurani u ka vënë baza dhe ua ka forcuar themelet. Kurse Suneti e ka sqaruar dhe e ka shpjeguar atë me hollësi, duke ndërtuar një ndërtesë solide, në të cilin rrjedha e kohës nuk ka kurrfarë ndikimi.

Kurani ka folur për të vërtetat e botës së padukshme, për shpirtin, për realitetin e jetës dhe për thelbin e bashkësisë njerëzore. Po ashtu Kurani ka folur për ligjet e Allahut të Madhëruar në univers dhe tek njeriu, njohjet dhe dituritë e të cilit i nevojiten njeriut në mënyrë që të ketë dobi prej tyre. E gjitha kjo është treguar dhe formuluar në një formë të mrekullueshme, për të cilën mund të thuhet se është “dritë në mes të folurit apo e folur në mes të dritës.” Për Kuranin mund të thuhet vetëm ajo që ka thënë Allahu i Madhëruar: “Elif, Lam, Ra, (ky është) Libër ajetet e të cilit janë rradhitur edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjithave çështjeve me hollësi.”[1] Gjithashtu Allahu i Madhëruar ka thënë për Kuranin se është “nur – dritë”. Natyra e dritës është të shkëlqejë dhe të udhëzojë. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë.”[2] Po ashtu, Allahu e përshkroi Kuranin si shpirt, e natyra e shpirtit është të lëvizë dhe të ngjallë. Allahu i Madhëruar thotë: “Po kështu me urdhrin tonë, Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kuranin)..”[3]Për këtë, për besimtarët e vërtetë të cilët janë të udhëzuar me Kuran thuhet se janë të gjallë dhe të ndritshëm njëkohësisht. Ata janë mbi vdekjen dhe errësirën. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo?”[4]

Detyrë e thirrësit është që, sa të ketë mundësi, të mësojë Kuranin. Madje, do të duhej ta mësojë tërë Kuranin dhe ta përsërisë kurdo që t’i afrohet mundësia, ashtu që sa më lehtë të përkujtohet dhe ta përdorë në të gjitha situatat. Kurani është municion që nuk mund të harxhohet dhe është ndihmës, burimi i të cilit është i pashtershëm në dhënien ndihmë të thirrësit. Prandaj është obligim i hafizit, si dhe i atij që nuk është i atillë, që çdo herë ta lexojë me përulësi, meditim dhe kuptim, që me të të hapë drynat e zemrave me të vërtetën që gjendet në të; që mendjet të marrin prej tij dritën e njohjes dhe të korrin frytet e të vërtetës. Leximi i përhershëm i Kuranit, me të kuptuar i mundëson thirrësit në Islam që të përkujtojë argumentet e Kuranit me të cilat dëshiron ta vërtetojë mendimin e vet dhe t’ia shtojë asaj prejardhjen hyjnore. Madje thirrësi është i obliguar që ta mësojë leximin e drejtë dhe të bukur të Kuranit ashtu siç ka urdhëruar Allahu, t’i mësojë rregullat e texhvidit, të cilat do t’i mundësojnë që drejtë të lexojë Librin e Allahut, me përulësi, ndjenja dhe emocione. Nëse i vjen për të qarë (prej emocioneve të leximit), atëherë le të qajë. E nëse nuk i vjen për të qarë, atëherë të paktën duhet ta ndjejë me gjithë zemër atë që po lexon.

Autor: Dr. Jusuf el-Karadavi (r.a)

[1] – Sure Hud: 1.

[2] – Sure Nisa: 174.

[3] – Sure Shura: 52.

[4] – Sure En’am: 122.

Exit mobile version