Kurti: BE dhe NATO të dënojnë dhunën e bandave kriminale të financuara nga Beogradi – nëntë barrikada janë ende në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojnë destabilizimin e situatës në vendin tonë.

Kurti sërish përsëriti se zbatimi i vendimeve të Qeverisë do të shtyhet në momentin kur do të hiqen të gjitha barrikadat e vendosura në veri.

“Në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë për datën 1 shtator 2022. Janë 9 barrikada në veri, dhe presim që të hiqen të gjitha sot gjatë ditës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka theksuar se vendimet e Qeverisë së Kosovë nuk bëhen asnjëherë mbi bazën e identitetit etnik.

“Dhuna nuk do të tolerohet, dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës me forcën e ligjit”, tha Kurti.

Kurti falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre ambasadorin amerikan Jeff Hovenier dhe shefin e diplomacisë të BE-së, Josep Borrell.

“Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan i cili i shqetësuar sikurse ne kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona”, tha Kurti.

Ai shtoi se e kuptojnë brengën e faktorit evropian e amerikan për siç tha “efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi dy vendimet tona, andej kemi shprehur gatishmërinë që zbatimi i tyre të shtyhet për 1 shtator menjëherë sapo të hiqen barrikadat”

“I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, BE-së dhe NATO-së që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat janë të nxitura e të financuara nga Beogradi”, tha Kurti.