Kurti homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi: Nuk do pushojmë derisa autorët të përballen me drejtësinë

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon të qëndrojë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së fundmi Kurti ka bërë homazhe në varrezat e vëllezërve Bytyqi të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi.

Kryeministri theksoi se nuk do pushojnë derisa autorët të përballen me drejtësinë.

“I kam bërë nderimet e mia Agronit, Mehmetit dhe Yll Bytyqit, tre heronjve të vrarë nga Serbia pas luftës. Sakrifica, patriotizmi, humanizmi – këto janë vlerat e ilustruara nga vëllezërit Bytyqi dhe UÇK-ja, dhe që e përcaktojnë Kosovën si shtet. Nuk do të pushojmë derisa autorët të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999. Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.