Kurti: Konflikti rrezikon të marrë përmasa rajonale, morali i policisë s’ka qenë kurrë më lart se tash

Kryeministri i Kosovoës, Albin Kurti ka folur në një konferencë për media pas tensioneve në veri.

Kurti ka thënë se konflikti rrezikon të marrë përmasa rajonale si pasojë e provokimeve nga ana serbe, sulmeve kriminale të cilat ai i quajti “terroriste”, shkruan lajmi.net.

“Konflikti rrezikon të marrë përmasa rajonale. Ne kemi treguar interesimin tonë për dialog. Vuçiq ka refuzuar dhe ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri. Bllokadat dhe veprimet kriminale me elemente terroriste janë të tilla sepse krimi, tensioni, kontrabanda dhe kaosi ka qenë e vetmja formë mbijetese”, ka thënë ai.

“Ata kanë bllokuar rrugën, jo vetëm me kamion. Por edhe me bulldozerë. Njësitet Speciale edhe po i mbrojnë kufitë, edhe policët. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë. Aty ku ka polici nuk ka incidente. Aty ku nuk ka pas polici, ka pasur rrezik të ndodhë, dhe ndodhi, një akt kriminel. Gjashtë ditë, asnjë incident. Pse? Sepse ku ka polic, ka siguri dhe nuk ka incidente”, tha ai.

Ai vazhdoi duke lavdëruar policinë e Kosovës, të cilët sipas tij asnjëherë si tash nuk e kanë pasur moralin lartë.

“Kurrë s’ka qenë më lartë morali i Policëve të Kosovës dhe profesionalizmi i tyre është e shkëlqyer. Unë i falënderohem secilit prej tyre. E gjithë Kosova duhet ta mbështes Policinë e Kosovës. Por natyrisht askur sikur ata. Ju ftoj që t’i përkrahim e t’i duam ata që kaq shumë po e duan Kosovën tonë të dashur”, tha ai.