Kurti-kongresistit amerikan: Kampi ushtarak “Bondsteel” të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, gjatë vizitës së tij që po e zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresistin Mondaire Jones.

Me anë të një komunikate për media njoftohet se në takim u diskutua për sigurinë në Evropës pas agresionit rus në Ukrainë dhe rrezikun që ndikimi rus paraqet në Ballkanin Perëndimor, për paqen dhe stabilitetin në rajon, shkruan lajmi.net.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Washington, D.C. është pritur në takim nga kongresisti Mondaire Jones, një ndër zërat prijës të Kongresit në përkrahje të ndryshime progresive. U diskutua për sigurinë në kontinentin e Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet pos tjerash në komunikatë.

Tutje, thuhet se Kurti ka përsëritur kërkesën që kampi Ushtarak “Bondsteel” që ndodhet në Kosovë, të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të SHBA-ve.