I shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Podujevës, profesori Shpejtim Bulliqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim humanistin, njëherësh teologun, Elvis Naçi dhe bashkëpunëtorët e tij, Ilir Hoxholli, Sylejman Rrahmani dhe Lulzim Rama.
Në praninë e kryetarit Bulliqi, z.Naçi, qytetarëve të Komunës së Podujevës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e udhëheqësve fetarë lokal, dje u vendos gurthemeli i ndërtimit të lagjes së re në Podujevë ku do të ndërtohen shtëpi dhe infrastruktura përcjellëse për familjet në nevojë të kësaj komune.
Ky projekt humanitar me vlerë prej 1 milion euro, po mundësohet nga fondacioni “Shqiptarët për shqiptarët”.
Kryeministrit Kurti e falënderoi humanistin Elvis Naçi, për punën e palodhur dhe kontributin e çmueshëm për komunitetet në nevojë.
Shoqëria jonë shquhet për vlera dhe karakterin humanist. Çdo gjeneratë ka pasur në mesin e tyre veprimtarë humanistë që kanë marrë përsipër misione fisnike për t’i dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai shtoi se gjatë qeverisjes së tij, shoqatat dhe veprimtarët humanistë do të bashkëpunojnë me institucionet për të plotësuar, e jo zëvendësuar, njëra-tjetrën drejt qëllimit për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.