Kurti para nisjes në Tiranë: Vijuam rrugën duke patur të qartë cila është busulla jonë historike

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se është nisur herët për në Tiranë, ku do të takohet me udhëheqësit e shteteve të rajonit.

Por para kësaj ai tha se sot është data e kryengjarjes së kombit tonë, përvjetori i Lidhjes që u mblodh më 10 qershor 1878 në Prizren.

Ai theksoi se ishte e domosdoshme që të ndalet në Prizren për të nderuar Lidhjen dhe veprimtarët e saj, transmeton lajmi.net.

“Ishte e domosdoshme të ndaleshim në Prizren për ta nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj, gegë e toskë e të të gjitha bindjeve politike e feve, që vendosën të bëhen bashkë për mbrojtjen e njerëzve e trojeve të Atdheut”, tha Kurti.

Gjithashtu kreu i Qeverisë së Kosovës deklaroi se pas homazheve vijuan rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qatë se cila është busulla historike.

“Vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë”.

Ndryshe sot në Pallat të Brigadave në Tiranë zhvillohet Samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë ngjarje do të jetë prezent edhe kryeministri Albin Kurti.Ky Samit vjen pas turit të vizitave të Ramës në Hungari dhe Bullgari, ku tema që iu vu theksi ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE.