Kurti për krizën me rrymë: Duhet ta shohin veten në pasqyrë ata që na kërkojnë llogari për dështimet e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot në mbledhjen e qeverisë për krizën e rrymës që ka kapluar vendin dhe rinisjen e reduktimeve pas shumë viteve furnizim të rregullt me energji elektrike.

Kurti madje është arsyetuar duke thënë se ata që kërkojnë llogari nga qeveria duhet “ta shohin veten në pasqyrë”, duke iu referuar ish-pushtetarëve, shkruan lajmi.net.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike po bëjmë gjithë çfarë mundemi e krejt çka dijmë që të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj, ndërkaq ata që për dështimet e tyre për dekada kërkojnë llogari nga ne që sot shënojmë 9 muaj në qeveri duhet më parë ta shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes”, tha ai.

Ndryshe, që nga dje në Kosovë kanë filluar reduktimet e rrymës në Kosovë, ku secila pjesë e Kosovës për të paktën dy orë do të jetë në terr në intervale të ndryshme kohore.