Kurti: S’mund të rregullojmë një të keqe të madhe me vetëm një takim, marrëdhëniet me NATO do vinë duke u thelluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se marrëdhënies në mes Kosovës dhe NATO-s do të vinë duke u thelluar dhe se për këtë s’ka nevojë për brengosje.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Fadil Nura e që kishte të bënte me deklarimin e dikurshëm të Kurtit për një letër ku pretendohej se ish-presidenti Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministri kishte bërë marrëveshje me NATO që FSK nuk do të hyjë në veri të Kosovës, Kurti deklaroi se marrëveshja e cila ishte arritur e që ishte shkëmbim letrash ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Kosovës.

“Dhe unë vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në shkurt të vitit 2020. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për shkëmbim të letrave dhe s’mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që ka vënë firmën për një shkresë të tillë. NJë problematik që i ka rrënjët që 8 vite më parë s’mund të adresohet e rregullohet në një takim të vetëm që ishte takim i parë në selinë qendrore të NATO-s, atëherë e kam çuar këtë çështje në prokurori dhe i mbetet për trajtim. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe NATO-s do të vinë duke u thelluar dhe nuk keni nevojë që të brengoseni”, tha Kurti, shkruan lajmi.net.

Kryeministri Kurti poashtu theksoi se kjo është një marrëveshje e dëmshme dhe është fakt që është trashëguar si shumë fakte të mëhershme.

“Por s’mund të rregullojë një të keqe të madhe më një takim të vetëm. Më 19 prill 2019 ka nënshkruar ish kryeministri i Kosovës me ish-kryeministrin e Serbisë marrëveshje me 15 pika 6 prej të cilave i referohen komunave të Kosovës me Zajednicë, e jam habitur se s’ka qenë vetëm një marrëveshje, por ka qenë dy. Njëra në BE që s’është bërë publike e tjetra në NATO. As s’është sjellë në Kuvend si publike, e aq më pak të ratifikohet.Ne dalëngadalë me punë do ta ndryshojmë”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pati publikuar një letër ku pretendonte se Hashim Thaçi në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ka bërë marrëveshje sekrete me NATO-on, që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk do të hyjë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Letrën kryeministri Kurti ia kishte dërguar asokohe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani (tani presidente e vendit) ku mes tjerash Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të Presidentit, nëse siç thotë “konstatohet se ai ka bërë shkelje kushtetuese”.

Shkëmbimi i letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen është bërë me 19 prill të vitit 2013.

“Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhej në letrën e Kurtit që ia dërgon Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”, thuhej tutje.