Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka nënshkruar sot vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.
Kusari-Lila e ka quajtur këtë vendim si të domosdoshëm.
Ajo ka bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi një ditë pas pubikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës
“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor. Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes. Marzha tregtare maksimale e lejuar: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër. Inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi. Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2, të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Duke u bazuar në analizën e situatës në treg dhe në kompetencat ligjore të Ministrisë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Ky vendim synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovë”, ka njoftuar ajo.
