Libi, djali i Gaddafit kthehet në garën presidenciale pasi gjykata pranon apelin

Saif al-Islam Gaddafi

Gjykata libiane lejoi Saif al-Islam Gaddafin, djalin e ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, të kandidojë për president pasi pranoi apelin e tij pas një vendimi që e përjashtoi atë nga zgjedhjet presidenciale të 24 dhjetorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Gjykata e Apelit në Sabha pranoi ankesën e paraqitur nga Saif al-Islam Gaddafi dhe e ktheu atë në garën e zgjedhjeve presidenciale”, shkroi televizioni privat Libya al-Ahrar në Twitter.

Vendimi erdhi pasi një grup i armatosur i lidhur me gjeneralin renegat Khalifa Haftar u tërhoq të martën nga Gjykata e Sabha-s pasi e mbajti atë të uzurpuar për dy ditë.

Ata e detyruan gjykatën të mbyllet, duke i penguar gjykatësit të shqyrtojnë apelimin e Gaddafit kundër përjashtimit të tij nga zgjedhjet.

Misioni i OKB-së në Libi kërcënoi të hënën se do të vendosë sanksione të Këshillit të Sigurimit kundër “atyre që pengojnë drejtësinë dhe sistemin zgjedhor”.

Vëzhguesit besojnë se kthimi i Gaddafit në skenën politike përbën një kërcënim për kandidaturën e Haftarit, i cili mbështetet në përkrahjen e simpatizantëve të Gaddafit.

Komisioni Zgjedhor i Libisë shpalli një listë preliminare javën e kaluar me 73 kandidatë për zgjedhjet dhe një tjetër me 25 persona të përjashtuar nga kandidimi, përfshirë Gaddafin.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Libisë do të zhvillohen sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja e arritur nga rivalët politikë libianë gjatë takimeve në Tunizi nëntorin e kaluar.

Libianët shpresojnë se zgjedhjet do të kontribuojnë në përfundimin e konfliktit të armatosur që ka dëmtuar rëndë prej vitesh vendin e pasur me naftë. /aa