Liderët evropianë pritet të mblidhen javën e ardhshme për një takim urgjent për çështjen e luftës në Ukrainë. Ky takim është si reagim ndaj shqetësimeve se SHBA-ja po vazhdon para me bisedimet për paqe me Rusinë pa përfshirjen e partnerëve evropianë në negociata, raporton “BBC”.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, që pritet të marrë pjesë në takimin në Paris, tha se bëhet fjalë për “një moment të sigurisë kombëtare që ndodh një herë në gjeneratë” dhe se është e qartë se Evropa duhet të marrë rol më të madh në NATO.
I dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, tha se liderët evropianë do të konsultohen por nuk do të marrin pjesë në asnjë bisedë mes SHBA-së dhe Rusisë për fundin e luftës.
Figura të larta të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, do të takohen me negociuesit rusë në Arabi Saudite në ditët në vijim. Zyrtarët amerikanë thanë se Ukraina gjithashtu është e ftuar, ndonëse presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mohoi se vendi i tij ka marrë ftesë të tij.
Në komentet që kanë ngritur shqetësimet në Ukrainë dhe po ashtu në mesin e aleatëve evropianë, Kellogg tha se negociatat e mëparshme kishin dështuar pasi ishin përfshirë shumë palë.
“Po ju them diçka që është vërtetë shumë e sinqertë”, tha Kellogg të shtunën.
Evropa mbetet e përndjekur nga marrëveshjet e Minskut, një marrëveshje e dështuar armëpushimi mes Ukrainës e Rusisë e arritur në vitin 2015. Bisedimet, të cilat u ndërmjetësuan nga Franca dhe Gjermania atëbotë, patën synim kishin përfundimin e luftës në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës.
Kryeministri britanik Starmer e sheh rolin e tij si një person që do t’i mbajë bashkë SHBA-në dhe Evropën për të siguruar një qasje të bashkuar ndaj paqes në Ukrainë.
Starmer do të diskutojë pikëpamjet e liderëve evropianë kur ta vizitojë presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në fund të këtij muaji.
Një takim tjetër mes liderëve evropianë, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Zelensky, pritet të zhvillohet pasi kryeministri britanik të kthehet nga Washingtoni.
Starmer tha se Britania e Madhe do të punojë për të “siguruar që të mbahen të bashkuar SHBA-ja dhe Evropa”, duke shtuar se të dyja palët “s’mund të lejojnë që asnjë ndarje në aleancë ” të shkaktohet nga “armiqtë e jashtëm”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka ftuar liderët evropianë për një takim urgjent, siç ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.
“Presidenti Trump ka një metodë operimi, që rusët e quajnë zbulim përmes betejës. Ju shtyni dhe shihni se çfarë ndodh, dhe pastaj ndryshoni qëndrimin tuaj, taktikat legjitime. Ne duhet të përgjigjemi”, tha Sikorski.