Liderët francez dhe gjerman përsëritën nevojën për një armëpushim të shpejtë në Ukrainë

Macron tha se vetëm armëpushimi do të mundësojë përparim në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai paralajmëroi se parandalimi i përhapjes së luftës në Evropë është një domosdoshmëri

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë përsëritur nevojën për një armëpushim të shpejtë në luftën Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ajo që ne duam të arrijmë është një armëpushim dhe kjo sa më shpejtë të jetë e mundur. Ne po bëjmë gjithçka për të arritur këtë armëpushim”, tha Macron në një konferencë për media me kancelarin Scholz në Berlin.

Macron tha se vetëm armëpushimi do të mundësojë përparim në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai paralajmëroi se parandalimi i përhapjes së luftës në Evropë është një domosdoshmëri.

Macron theksoi se qëllimi përfundimtar në dhënien fund të konfliktit është të sigurohet “paqja dhe tërheqja e përhershme e trupave ruse” në Ukrainë.

Më herët të hënën në Strasburg, presidenti francez tha se Rusia nuk duhet të “turpërohet” nga asnjë marrëveshje e paqes.

Kancelari gjerman, nga ana e tij, tha se Moska “nuk mund t’i diktojë” Kievit një marrëveshje të paqes. Ai kërkoi “përparim në negociatat” midis palëve ruse dhe ukrainase.

“Kjo luftë duhet të përfundojë”, theksoi Scholz, duke përsëritur se Rusia është përgjegjëse për atë që ai e quajti “luftë e agresionit”.

Scholz tha se “lufta e tmerrshme e agresionit” po bashkon partnerët evropianë, si dhe shtoi se është e rëndësishme të veprohet së bashku.

“Ukraina është pjesë e familjes evropiane”, theksoi Scholz. /aa