Lideri i Hamasit thirrje vendeve arabe të shpërbëjnë marrëveshjet e tyre të normalizimit me Izraelin

Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh u bëri thirrje vendeve arabe dhe afrikane që të shpërbëjnë marrëveshjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Haniyeh mori pjesë në programin e zhvilluar online me rastin e 67-vjetorit të fillimit të luftës së Algjerisë për pavarësi kundër kolonializimit francez më 1 nëntor të vitit 1954.

Në një fjalim në programin e organizuar nëpërmjet Zoom nga Lëvizja Ndërkombëtare për Ndërtimin e Algjerisë, Haniyeh tha: “U bëj thirrje vendeve arabe dhe afrikane që të shpërbëjnë marrëveshjet e tyre të normalizimit me Izraelin pushtues. Normalizimi nuk i shërben popujve tanë, kauzës tonë palestineze, gjërave tona të shenjta dhe rezistencës tonë”.

“Përpjekjet e injorimit të ligjit të Palestinës për të ndërtuar paqe në rajon, ideja që më parë normalizim dhe më pas paqe, janë një iluzion”, theksoi Haniyeh duke shtuar se formësimi sionist është i dobët pavarësisht se duket superior ushtarakisht dhe se ai po përjeton periudhën më të dobët të tij.

Haniyeh tha se përpjekjet e Izraelit për përparim dhe përhapje në rajon nuk do të mund të ndryshojë ndërgjegjen e popujve dhe se ekuacioni sot në rajon përcaktohet nga rezistenca.

Ai theksoi se rezistenca e palestinezëve në sulmet e fundit të Izraelit ndaj Gazës, ka treguar se është e mundur që pushtuesit të mposhten.

Vitin e kaluar Izraeli nënshkroi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me qeveritë e Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut. /aa