Lideri i opozitës izraelite, Avigdor Lieberman pas komenteve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me “bisedimet konstruktive” me Teheranin, bëri thirrje sot për vazhdimin e luftës me Iranin edhe nëse SHBA-ja tërhiqet, transmeton Anadolu.
“Nëse SHBA-ja del nga lufta, ne duhet të vazhdojmë. Nga perspektiva jonë, rrëzimi i regjimit është thelbësor”, tha Lieberman, kreu i partisë “Yisrael Beytenu”, në hapjen e takimit të fraksionit të partisë së tij, siç raportohet nga e përditshmja “Yedioth Ahronoth”.
Lieberman kritikoi ashpër qeverinë izraelite, duke thënë se ajo po përqendrohet në çështjet e brendshme legjislative ndërsa kërcënimet e sigurisë vazhdojnë. “Ndërsa banorët e veriut dëgjojnë një sirenë sulmi ajror çdo disa minuta, Parlamenti do të diskutojë fatin e popullit të Izraelit dhe zgjerimin e kompetencave të gjykatave rabinike. Kjo është çmenduri absolute”, tha ai.
Trump tha sot se ka urdhëruar një shtyrje 5-ditore të të gjitha sulmeve ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane, duke përmendur bisedime “shumë të mira dhe produktive” me Teheranin gjatë dy ditëve të fundit.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se SHBA-ja dhe Irani kanë patur gjatë dy ditëve të fundit, biseda shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive tona në Lindjen e Mesme”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Trump shtoi se bazuar në “rrjedhën dhe tonin e këtyre bisedave të thella, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës”, ai i ka udhëzuar Departamentit të Mbrojtjes të shtyjë të gjitha sulmet ushtarake kundër termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesë-ditore.
Pauza varet nga suksesi i takimeve dhe diskutimeve të vazhdueshme, shtoi ai.
Përshkallëzimi rajonal ka vazhduar të shpërthejë që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 njerëz, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.
Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet globale dhe aviacionin.
