Liderët mendimtarë zakonisht hyjnë në terrenin politik në kohë krizash të mëdha, në kohë kthesash historike, kur një populli i paracaktohet një dilemë ekzistenciale. Kjo kohë zakonisht kërkon një orientim të ri dhe një zhvendosje tek një lidership me autoritet moral, që realisht vjen të përplotësojë boshllëkun e madh të krijuar nga rrethanat historike. Pikërisht në këtë kontekst teorik dhe historik duhet të shihet edhe figura e Alija Izetbegoviqit, një mendimtari që rrethanat historike e projektuan si lider të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Profili i një udhëheqësi, një politikani, gjithnjë duhet të shihet në kuadër të një konteksti kohor, por edhe në kuadër të botëformimit të tij, të gjithë atij sfondi që ka përbrendësuar qenësinë e tij politike.
Në rastin e një udhëheqësi politik, që paraprakisht është edhe mendimtar, ky profil merr dimensione krejtësisht tjera, sepse në suazën e performimit politik veprojnë edhe shtysat e një rrafshi tjetër, të një hemisfere tjetër, që e përbrendësojnë konstitucionin shpirtëror dhe mendimtar të një lideri.
Ky determinim nga bota e ideve, parimeve, njohurive, procedimeve mendimtare, në botën e rrethanave historike dhe politike shfaqet me shumë tensione të brendshme dhe me shumë komplikime, që përcaktohen nga rrethanat historike.
Sidoqoftë, kur flasim për lider mendimtar, gjithnjë optika duhet drejtuar nga përftesat historike dhe nga rrethanat në të cilat një mendimtar “zbret” në pragmatizmin e vrazhdë të terrenit politik, gjithnjë duke pasur parasysh gjithë sfondin e moralitetit, të dimensioneve intelektuale, që paraprakisht i ka kultivuar dhe në bazë të të cilave vepron një lider mendimtar në një kontekst të caktuar historik dhe politik.
Liderët mendimtarë zakonisht hyjnë në terrenin politik në kohë krizash të mëdha, në kohë kthesash historike, kur një populli i paracaktohet një dilemë ekzistenciale. Pikërisht në kohë të tilla krizash ekzistenciale realitetesh të vrazhda, momentumi historik dhe politik përfton ndihmën e një moraliteti më të lartë, atë të botës së ideve, të parimeve ekzistenciale, që qëndrojnë përtej konfigurimeve të zakonshme politike. Kjo kohë zakonisht kërkon një orientim të ri dhe një zhvendosje tek një lidership me autoritet moral, që realisht vjen të përplotësojë boshllëkun e madh të krijuar nga rrethanat historike.
Pikërisht në këtë kontekst teorik dhe historik duhet të shihet edhe figura e Alija Izetbegoviqit, një mendimtari që rrethanat historike e projektuan si lider të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ai hyn në skenën politike, në një situatë dramatike, kur nacionalizmi serb tashmë kishte vërshuar në format më brutale, duke synuar territore dhe dominim të plotë në hapësirën e ish Jugosllavisë.
Realiteti i Bosnjë e Hercegovinës tashmë kërkonte një protagonist që do të merrte mbi supe fatin e popullit boshnjak, por edhe shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, në kohën kur retë e zeza të luftës po lëshoheshin mbi këtë shtet.
Dhe, ky lider vinte nga bota delikate e mendimit, nga ato hemisfera që kërkojnë procedime të thella mendimtare, që kërkojnë dije, njohje dhe, mbi të gjitha, disiplinë të jashtëzakonshme hulumtimi dhe reflektimi, ndërkohë që rrethanat e përfshirjes së tij në politikë ishin të jashtëzakonshme, dramatike, që më pas do të shndërrohen në sulm brutal mbi Bosnjë e Hercegovinën dhe popullin boshnjak.
Liderët intelektualë e shohin politikën si një mision moral, një mundësi për transformim shoqëror, dhe shpesh një hapësirë ku idealet bëhen substancë institucionale. Në vendimet e tyre ka koherencë normative dhe vizionet e tyre shpesh mbeten edhe pas epokës që i prodhoi.
Sipas shumë autorëve, Alija Izetbegoviqi, autori i librit “Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit”, në sferën e politikës synonte të sjellë substancën politike mbi baza qytetëruese dhe morale. Filozofia e tij politike ishte e formuar shumë përpara se të merrte pozita shtetërore, dhe kjo koherencë e brendshme ndikoi në vendimmarrjen e tij edhe gjatë luftës.
Studiues të figurës dhe veprimtarisë së Alija Izetbegoviqi theksojnë se ai gjithmonë mbështeti rrugën e ndërtimit të durueshëm gjatë rilindjes së pluralizmit, gjatë agresionit e gjenocidit, gjatë negociatave nën patronazhin e OKB-së, BE-së dhe Grupit të Kontaktit, e deri te vendosja e paqes. Sipas tyre, paqja që krijon mundësi zhvillimi ishte kushti i vetëm nën të cilin ai pranonte kompromisin politik.
Analisti dhe studiuesi Faris Naniq, në studimin e tij “Alija Izetbegoviq, nga disidenca, përmes pluralizmit politik, deri te shtetformimi dhe paqja”, vë në dukje se rruga politike e Izetbegoviqit nuk mund të kuptohet pa fillimet e tij si disident në periudhën komuniste. Sipas Naniqit, Izetbegoviqi u burgos si mbrojtës i lirisë së mendimit dhe të fjalës, një përvojë që u bë prolog i veprimtarisë së tij politike. Pikërisht pse kishte luftuar për lirinë e shprehjes dhe organizimit, dalja nga burgu e gjeti të përgatitur për të ndërmarrë hapin e parë drejt demokracisë pluraliste.
Në vijë të kësaj fryme lindi Partia e Aksionit Demokratik, formacioni i parë politik autentik qytetar në Bosnje e Hercegovinë. Izetbegoviqi u bë themelues dhe kryetar i saj, duke e udhëhequr vendin drejt tranzicionit, nga një sistem njëpartiak drejt pluralizmit politik.
“Lidhja e tij me demokratizimin e vendit është organike”, vë në dukje Naniqi, i cili thekson se Izetbegoviqi ishte simboli i transformimit të Bosnjës nga një monolit ideologjik në një shoqëri me shumë zëra.
Naniqi thekson se, nën udhëheqjen e Izetbegoviqit, Partia e Aksionit Demokratik u bë një forcë që e artikuloi qartë karakterin e shumëfishtë të identitetit boshnjak. Faris Naniqi vë në dukje se partia nuk kishte për synim t’i shtypte ose t’i mohonte identitetet e ndryshme të qytetarëve të saj. Përkundrazi, e ngriti në parim faktin se Bosnja është një hapësirë politikisht multikulturore. Ky parim u shndërrua në bosht të politikave të brendshme, por u bë edhe argument vendimtar në konsolidimin e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit gjatë agresionit.
Izetbegoviqi hyri në negociatat e paqes si përfaqësuesi legjitim i shtetit të njohur ndërkombëtarisht. Naniqi thekson se shpesh është keqinterpretuar natyra e Marrëveshjes së Dejtonit. “Nuk ishte një marrëveshje për ndarjen e territorit mes tri popujve, por një marrëveshje paqeje mes tre shteteve, e cila duhej ta riorganizonte Bosnjën brenda parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut”, thekson ai.
Naniqi thekson se mësimet e Izetbegoviqit mbeten një paradigmë e re për të ardhmen. Sipas tij, Bosnja nuk ka nevojë për shkatërrime të reja apo për ndryshime të pamundura, por për një ndryshim paradigme në kulturën politike, në sjelljen institucionale dhe në planifikim afatgjatë. Kjo kërkon objektiva të qarta, standarde të matshme dhe një klimë bashkëpunimi që e respekton kompleksitetin e identiteteve të vendit.
Në këtë kuptim, trashëgimia e Izetbegoviqit nuk është vetëm historike, por edhe aktuale. Ajo mbetet një udhërrëfyes për një Bosnje të qëndrueshme, demokratike dhe paqësore.
Paqja e arritur në fund të vitit 1995 i mundësoi Bosnjë e Hercegovinës së shkatërruar të fillonte jetën nga e para, por e ndarë në dy entitete, në Republika Sërpska dhe federatën boshnjako-kroate të Bosnjë e Hercegovinës.
Kreatori i Marrëveshjes së Dejtonit, Riçard Holbruk, ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina sot nuk do të ekzistonte po të mos ishte Izetbegoviqi. Edhe kolegu i Holbrukut, Robert Gelbard, ish-emisari special i presidentit amerikan për Ballkanin, që e kishte njohur Izetbegoviqin vetëm pas Dejtonit, ndërkohë që në vitet që pasuan ata bashkëpunuan ngushtë, në një prononcim për BBC thekson se “më ka impresionuar vërtet serioziteti i Izetbegoviqit, të cilin nuk e kam hasur te shumë liderë të tjerë me të cilët kam pasur të bëj, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë botën“.
Për më tepër, figura e Alija Izetbegoviqit mishëron gërshetimin midis botës së mendimit dhe përgjegjësisë së jashtëzakonshme historike. Si mendimtar dhe, më pas, udhëheqës shtetëror në një periudhë dramatike për Bosnjë e Hercegovinën, ai e projektoi politikën si mision moral dhe si hapësirë të shndërrimit shoqëror.
Siç theksojnë studiues si Faris Naniqi, profili politik i Izetbegoviqit nuk mund të ndahet nga dimensioni i tij intelektual. Nga disidenca në Jugosllavinë socialiste, deri te drejtimi i tranzicionit pluralist dhe negociatat e paqes, ai mbeti i qëndrueshëm në parimet që e kishin formësuar dhe që nënkupton lirinë e mendimit, respektimin e diversitetit dhe përgjegjësinë morale ndaj popullit të tij.
Vlerësimet ndërkombëtare shpërfaqin faktin se autoriteti moral i Alija Izetbegoviqit ishte vendimtar për mbijetesën e Bosnjës si shtet. Në një kohë kur nacionalizmat agresivë kërcënonin zhdukjen e një kombi dhe shkatërrimin e një vendi, ai u shfaq si zë i arsyes dhe i dinjitetit njerëzor, duke sjellë në terrenin politik një horizont të gjerë filozofik dhe etik. /revistashenja
