Liga Arabe kërkon që Huthit në Jemen të shpallen “organizatë terroriste”

Anwar Gargash

Të gjitha vendet e Ligës Arabe kanë kërkuar që Huthit me mbështetje iraniane në Jemen të shpallen “organizatë terroriste” dhe kanë mbështetur të drejtën e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për vetëmbrojtje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Liga Arabe zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm në nivel të përfaqësuesve të përhershëm në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro me kërkesë të EBA-së për të diskutuar sulmet që Huthit kryen më 17 janar në rajonin Musaffah në kryeqytetin e EBA-së, Abu Dhabi.

Sipas agjencisë zyrtare egjiptiane MENA, thuhet se në deklaratën përmbyllëse të takimit Liga Arabe dënoi sulmet e Huthive kundër civilëve dhe objektivave civile.

Huthit me sulmet në fjalë kanë shkelur hapur ligjin ndërkombëtar dhe ligjin humanitar ndërkombëtar, thuhet në deklaratën ku të gjitha vendeve “u bëhet thirrje që të shpallin milicët Huthi organizatë terroriste”.

“Jemi në solidaritet absolut me EBA-në dhe mbështesim çdo masë që ajo do të marrë për sigurinë e saj, popullit, banorët dhe interesat e saj kombëtare”, thuhet në deklaratën në cilën vihet në dukje se në kuadër të ligjit ndërkombëtar mbështetet edhe e drejta e EBA-së për vetëmbrojtje dhe kundërpërgjigje ndaj sulmeve.

Anwar Gargash, këshilltari për diplomaci i ministrit të jashtëm të EBA-së, Abdullah bin Zayed Al-Nahyan në një deklaratë më parë nga llogaria e tij në Twitter ka thënë se ka konsensus për projekt-rezolutën e dorëzuar në Ligën Arabe që grupi i armatosur kundër qeverisë në Jemen, Huthit të shpallen “organizatë terroriste”.

Sulmi i Huthive ndaj Abu Dhabit

Tre persona humbën jetën ndërsa 6 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit në 3 cisterna karburanti nga një sulm me dron që u krye më 17 janar në zonën Musaffah të Abu Dhabit, kryeqytetit të EBA-së.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree në një deklaratë njoftoi se vendosën në objektivin e tyre me dronë dhe raketat balistike Zolfaghar dhe Quds-2 të prodhimit iranian, aeroportet në Dubai dhe Abu Dhabi dhe rafinerinë e naftës në rajonin Musaffah. /aa