Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që Palestina të përfshihet në iniciativën e propozuar “Bordi i Paqes” dhe që fokusi i këtij mekanizmi të kufizohet vetëm në Rripin e Gazës, bëri të ditur presidenca braziliane.
Kërkesa u bë gjatë një bisede telefonike 50-minutëshe mes dy liderëve, zhvilluar të hënën, gjatë së cilës ata ranë dakord të takohen së shpejti në Uashington për diskutime të mëtejshme.
Sipas njoftimit zyrtar, Lula theksoi se “Bordi i Paqes” duhet të ketë një përfaqësim palestinez dhe të merret ekskluzivisht me situatën në Gaza. Ai gjithashtu ngriti nevojën për një reformë të thellë të Kombeve të Bashkuara, përfshirë zgjerimin e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Marrëdhëniet mes Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara janë përmirësuar muajt e fundit, pas një periudhe tensioni. Dy liderët diskutuan gjithashtu situatën në Venezuelë, ku Lula bëri thirrje për paqe dhe stabilitet në rajon.
Vizita e presidentit brazilian në Uashington pritet të zhvillohet pas udhëtimeve të tij të planifikuara në Indi dhe Korenë e Jugut, gjatë muajit shkurt. /mesazhi
