Lumenjtë në zhdukje shkaktojnë shqetësime në Bangladesh

Edhe pse përmbytjet janë bërë një çështje rutinë vjetore në Bangladesh, më shumë se gjysma e lumenjve të vendit janë bërë të palundrueshëm dhe shumë të tjerë janë zhdukur, duke ndikuar në jetesën e miliona njerëzve në vendin e Azisë Jugore.

Ndërsa bota po shënon Javën e Mjedisit këtë javë, ekspertët thonë se inxhinieria dhe pastrimi i shtretërve të lumenjve dhe bonifikimi i tokës janë bërë të nevojshme.

Sipas zyrtarëve, nga 405 lumenj që shtrihen në gjeografinë e Bangladeshit, vetëm 172 janë aktualisht të lundrueshëm. Ka 57 lumenj ndërkufitar, duke përfshirë 54 të përbashkët me Indinë dhe tre të tjerët me Mianmarin.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), kryetari i Qendrës Kërkimore të Lumenjve dhe Deltës (RDRC), Mohammad Azaz, tha se shumë lumenj në Bangladesh janë zhdukur në 50 vitet e fundit, ndërsa shumë të tjerë kanë humbur ujërat e lundrueshëm.

Sipas qendrës, në vitin 1971, kur vendi fitoi pavarësinë, në Bangladesh kishte gjithsej 1.274 lumenj. Që atëherë, gjithsej 507 janë zhdukur.

“Tre lumenj të fuqishëm, Gange, Jamuna (Brahmaputra) dhe Meghna, rrjedhin nëpër Bangladesh dhe përfundojnë në Gjirin e Bengalit. Pra, çdo iniciativë për kontrollin e lumenjve të ndërmarrë në rrjedhën e sipërme të tre lumenjve të fuqishëm do të ketë ndikim për Bangladeshin”, tha Azaz.

Ai tha se lumenjtë në Bangladesh janë zhdukur për shkak të efektit të Barazhit Farakka, një barazh 18 kilometra i ndërtuar në Lumin Ganga në shtetin Indian Bengali Perëndimor, në kufi me Bangladeshin.

“Shumë lumenj dhe degë të vogla në rajonin jug-qendror Barisal dhe rrethet veriore gjithashtu janë zhdukur. Në rrjedhën e sipërme India tërheq një sasi masive uji nga lumenjtë kryesorë, duke lënë pak furnizim në rrjedhën e poshtme që prek degët dhe rrjedhat e lumenjve në Bangladesh”, shtoi Azaz.

Krizat e ujit

Një situatë e ngjashme ka mbizotëruar rreth Lumit Teesta, i cili përshkon Bangladeshin verior. Lumi 414 kilometra buron në Himalajet lindore.

“Janë 11 lumenj të vegjël që, në varësi të rrjedhave ujore të Lumit Teesta, tani po thahen. Vetë Teesta po thahet dhe shfaqet si shkrumb i pakufishëm gjatë sezonit të thatë dhe bujqësia, që varet prej tij, përballet me një krizë të rëndë uji për ujitje,”, tha Azaz.

Një tjetër pjesë prej 67 për qind e tokës në Bangladesh përmbytet ose bëhet ligatina gjatë sezonit të shirave. Por ajo që ka qenë burimi kryesor i shqetësimit është se shirat jashtë sezonit dhe përmbytjet kanë prekur fermerët dhe sigurinë ushqimore.

“Një situatë e tillë çdo vit ndikon në gjithë prodhimin e ushqimit dhe rritjen e çmimit të produkteve thelbësore, dhe fermerët regjistrojnë humbje të mëdha”, tha ai.

Sipas të dhënave të qeverisë, orizi i kultivuar në një sipërfaqe prej 5.000 hektarësh në rajonin Hoar në kufi me Indinë është zhytur në ujë dhe është shkatërruar në një përmbytje para reshjeve muson.

“Në emër të mekanizmave të kontrollit dhe menaxhimit të përmbytjeve, ne kemi ndërtuar kaq shumë argjinatura lumore dhe porta kalimi, duke përfshirë rajonin bregdetar të vendit, gjë që nuk është e përshtatshme për kontrollin e përmbytjeve, por përkundrazi shkatërron pjellorinë e kanaleve, pellgjeve dhe ligatinat”, thotë Azaz.

Ai tha rrëmbimi i tokave të lumenjve nga njerëzit me ndikim politik ka ndikuar gjithashtu në lundrueshmërinë e lumenjve.

Sipas të dhënave të qeverisë, janë bërë mbi 4.900 rrëmbime lumenjsh në të gjitha 64 rrethet.

Azaz tha se duhet të hartohet një listë e lumenjve të vdekur dhe të rrezikuar dhe duhet të hartohen masa të menjëhershme, siç është kryerja e pastrimit (gërryerjes) të vazhdueshëm.

Diplomacia e dobët

“Një lumë mund të jetë i vdekur ose të ndikojë që lumenjtë e tjerë të vdesin nëse ne gërryejmë lumenjtë në një metodë të paplanifikuar”, tha ai.

Azaz bëri thirrje për përdorimin e teknologjisë moderne dhe transparencë në procesin e rikuperimit të lumenjve.

“Ky shëndet i dobët i lumenjve mbizotëron për shkak të diplomacisë së dobët. Ne përgatitëm Planin e Deltës së Bangladeshit-2100, por nuk kemi një politikë të caktuar se si të përballemi me sfidën e vazhdueshme dhe të negociojmë me Indinë për një pjesë të barabartë të ujërave të lumenjve të përbashkët”, tha ai. /aa