LVV propozon tri blloqe të reja tarifore për energjinë elektrike, ngritet pragu i shpenzimeve

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ku ka dhënë një propozim për rregullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë se kanë rekomanduar për ZRrE-në disa propozime ku do të ruheshin familjet dhe do të nxiteshin shpenzuesit e mëdhenj të kursejnë energjinë.

LVV me këtë rast ka bërë propozimin e një strukture të re tarifore.

“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat i cili mbulohet nga prodhime i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

“Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet nga subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së që përfshinë mbi 23% të amvisërive”.

“Ne propozojmë edhe bllokun e tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, ka deklaruar Kusari-Lila.