Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të hënën se Franca dhe aleatët e saj po përgatisin një mision detar “thjesht mbrojtës” që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe shoqërimin e anijeve sapo të qetësohet faza më intensive e konfliktit në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një vizite në Qipron Greke, Macron tha se operacioni i propozuar do të përqendrohet në rivendosjen e trafikut detar përmes pikës strategjike të bllokimit, një rrugë kyçe për dërgesat globale të naftës dhe gazit.
Macron tha se misioni do të synojë lejimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare dhe të sigurojë rrjedhën e vazhdueshme të furnizimeve me energji përmes ngushticës pasi të qetësohet konflikti.
Gjatë vizitës së tij, ai njoftoi gjithashtu një prani të shtuar detare franceze përgjatë rrugëve ujore kryesore që lidhin Mesdheun lindor, Detin e Kuq dhe ujërat pranë Ngushticës së Hormuzit.
“Në total, prania franceze, e cila do të vendoset nga Mesdheu lindor, në Detin e Kuq dhe pikërisht pranë brigjeve të Hormuzit, do të mobilizojë tetë fregata, dy transportues helikopterësh amfibë dhe transportuesin tonë të avionëve”, tha Macron.
Ai shtoi se aeroplanmbajtësja francez “Charles de Gaulle”, që aktualisht operon pranë ishullit grek të Kretës, do të jetë pjesë e vendosjes.
Makron tha gjithashtu se Franca do të kontribuojë me dy fregata në plan afatgjatë në Operacionin Aspides, misionin detar të Bashkimit Evropian të nisur në vitin 2024 për të mbrojtur anijet tregtare në Detin e Kuq.
