Macron kërkoi fshehurazi nga mediat të përhapin “fjalë të mira” për reformat e diskutueshme të pensioneve

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para se miliona qytetarë të dilnin në rrugë për të protestuar ndaj planeve të tij, u tha mediave kryesore të vendit të përhapin “fjalë të mira” për reformat e diskutueshme të propozuara nga ai lidhur me pensionet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazetarja Eve Roger në një paraqitje televizive për ‘TV5’ tha se më 17 janar, dy ditë para grevave dhe protestave mbarëkombëtare për projektin e reformës së pensioneve, presidenti Macron zhvilloi një “takim sekret” në Pallatin Elysee.

Roger theksoi se duke folur me dhjetë kryeredaktorë të mediave kryesore, përfshirë mediat ‘Le Figaro’, ‘BFMTV’ dhe ‘Le Monde’, presidenti Macron u përpoq të “përhap fjalë të mira dhe elemente gjuhësore, në mënyrë që fjala presidenciale të injektojë opinionin publik dhe ndoshta edhe të ndikojë atë”.

Ajo shtoi se takimi ishte në sfond, kështu që gazetarët nuk mund të citonin presidentin Macron dhe as të thonë se biseduan me të.

Roger përmendi si dëshmi buletinin informativ të 18 janarit nga ueb-faqja ‘Politico’, që përmend një takim të organizuar nga presidenti Macron për të “përçuar disa mesazhe, pa kamera apo mikrofona”.

Protestat masive kundër reformave të diskutueshme të pensioneve

Projekti i reformës së pensioneve, i cili përfshin rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, menjëherë shkaktoi një zemërim të madh tek punëtorët dhe sindikatat.

Pas publikimit të detajeve të reformës së pensioneve, Franca më 19 janar ishte skenë e grevave dhe protestave mbarëkombëtare.

Sipas sindikatës ‘CGT’, të paktën 2 milionë njerëz dolën në rrugët e Francës në protesta.

Sindikata gjithashtu numëroi 400 mijë protestues në kryeqytetin Paris, me të paktën 20 mijë të tjerë që dolën në qytetin bregdetar jugor Nice.

Ministria e Punëve të Brendshme e vendit tha se numri i njerëzve që dolën në protestat mbarëkombëtare ishte 1.12 milionë, përfshirë 80 mijë protestues në Paris.

Më shumë greva dhe protesta pritet në javët në vijim në Francë.