Kandidatja e ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale, Marine Le Pen dëshiron ta nxjerrë vendin nga Bashkimi Evropian, deklaroi të marten presidenti francez Emmanuel Macron.
Duke folur në qytetin lindor të Mulhouse, Macron vuri në dukje faktin se Le Pen kishte thënë se donte të ndalonte pagesën e disa tarifave të BE-së dhe të ndryshonte disa aspekte të marrëdhënieve të Francës me BE-në.
“Kjo do të thotë se ajo dëshiron të largohet nga BE-ja. Në programin e saj ajo tha se dëshiron të krijojë një aleancë të shteteve kombëtare”, tha Macron.
Macron theksoi lidhjet e tij me Evropën si dhe efektet pozitive që BE-ja ka ndaj qytetarëve në Francë.
“Unë besoj në Evropë. Ne e kemi ndryshuar atë gjatë pesë viteve të fundit, dhe kemi marrë vendime që kanë ndryshuar jetën e bashkëqytetarëve tanë”, tha ai duke përmendur përpjekjet në mbarë bllokun për të siguruar vaksinat kundër koronavirusit si dhe financimin e nxitur nga borxhi për të ndihmuar vendet për t’u përballur me efektet e pandemisë.
Macron dhe Le Pen do të hyjnë në balotazh më 24 prill. /atsh