Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar për shkak të vizitës së fundit të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Bullgari dhe fotografimit me presidentin bullgar Rumen Radev “vetëm me flamuj bullgarë”, raporton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur dje ambasadorin e Republikës së Bullgarisë, Zheljasko Radov. Siç informojnë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut, në takim është shprehur shqetësimi për shkak të devijimit nga protokolli i dakorduar për fotografimin e dy presidentëve dhe është kërkuar sqarim shtesë nga pala bullgare.
Për devijimin nga protokolli i dakorduar është ankuar edhe kryetarja Siljanovska-Davkova, e cila dje për mediat vendase ka thënë se megjithatë, ka vendosur që të fotografohet dhe të mos shkaktojë skandal.
“Një mendim kisha se mund të largohesha dhe do të kisha bërë një skandal, dhe një mendim tjetër kisha se nikoqiri i kishte vendosur rregullat dhe se nikoqiri është gabim, jo unë. Në atë moment vendosa që më mirë të mos bëj skandal”, tha Siljanovska-Davkova në një intervistë për mediat vendase, duke shtuar se ajo dhe kolegu i saj Radev kanë pasur më pas një drekë të këndshme.
Autoritetet bullgare: Vizita nuk ishte as shtetërore, as vizitë pune
Presidentja Siljanovska-Davkova më 13 shtator vizitoi Republikën e Bullgarisë, ku pjesë e delegacionit mes tjerash ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.
Në kuadër të vizitës, presidentja Siljanovska-Davkova, përveç takimit me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, mori pjesë edhe në shfaqjen e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë në Operën dhe Baletin e Sofjes.
Pas hapjes së çështjes për flamujt edhe në opinionin bullgar, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev deklaroi se “vizita nuk ishte as shtetërore, as vizitë pune” dhe për këtë arsye nuk u zbatua protokolli i flamujve. “Kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive në një atmosferë miqësore”, tha Radev.
Lidhur me ngjarjet ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili i ka paralajmëruar edhe një notë proteste ndaj Bullgarisë. “Kur kalohet vija e kuqe, atëherë duhet të reagohet”, tha Mickoski, duke shtuar se “nëse nuk reagohet, atëherë ai përjashtim do të bëhet praktikë”.
Reagime ka pasur edhe nga opozita maqedonase, e cila kritikoi veprimet e presidentes Siljanovska-Davkova dhe ministrit Mucunski.