Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Marinsi amerikan që urrente myslimanët shkon ta bombardojë xhaminë. Plani merr kthesë...

Marinsi amerikan që urrente myslimanët shkon ta bombardojë xhaminë. Plani merr kthesë të habitshme

Sapo pjesëtarët e Qendrës Islamike të Muncie e panë burrin që po shkonte drejt tyre, ata e dinin se ai ishte telash.

Ai ishte një burrë i madh me shpatulla të gjera, që ecte drejt xhamisë së tyre me kokën poshtë dhe fytyrën e kuqe që dukej se ishte i zemëruar. Ishte e premte në qendrën në Muncie, Indiana, dhe xhamia po mbushej me njerëz që po shkonin për lutje. Si i huaj me një tatuazh marinsi në krahun e djathtë dhe një kafkë në krahun tjetër, ai dallohej.

Quhej Richard “Mac” McKinney, dhe ishte aty jo për t’u falur por për të shkatërruar. Ai ishte një ish-marins amerikan i cili kishte zhvilluar urrejtje kundër islamit gjatë luftës në Irak dhe Afganistan. Zemërimi i tij u thellua kur u rikthye në shtëpi dhe pa se si myslimanët ishin vendosur në atë që ai e quante qytetin e tij, dhe madje dërgonin fëmijët e tyre të uleshin afër vajzës së tij në shkollën fillore.

I pamundur ta përmbante zemërimin, ai shkoi në qendrën islamike atë ditë në vitin 2009 në atë që e pa si misionin e fundit. Ai do ta vendoste një bombë në xhami me shpresën se do të vriste e plagoste qindra myslimanë. Ishte në një mision zbulimi që ta zgjidhte një vend për ta fshehur bombën dhe të mblidhte informacione që do ta vërtetonin pretendimin e tij se islami ishte ideologji vrastare.

“U thosha njerëzve se islami ishte kancer; dhe se unë isha kirurg që do ta shëroja atë”, ka thënë ai.

Por, kur McKinney u fut në xhami, ai u përball me një formë rezistence për të cilën nuk ishte përgatitur. Diçka ndodhi atë ditë që do ta ndryshonte atë në një mënyrë që nuk e priste.

Njerëzit jetët e të cilëve kishte qëllim t’u jepte fund, do të përfundonin duke ia shpëtuar jetën atij.

Ajo që i ndodhi atij duket si në filma, dhe një i tillë është bërë për të.

Transformimi i McKinneyt është shfaqur në një dokumentar të titulluar “Stranger at the Gate”. Aty tregohet se McKinney braktisi komplotin e tij dhe përfundoi duke u konvertuar në islam dhe duke përqafuar një rol befasues në xhami.

“Stranger at the Gate” tani është kandidat për Oscar këtë të diel në kategorinë e dokumentarëve të shkurt.

McKinney ka folur për CNN-in për të rikujtuar ditën kritike duke menduar se ajo e premte do të përfundonte me vdekjen e tij.

“Në fund të ditës, thash se ata do të më çonin në bodrum me një shpatë në fyt”, ka thënë ai.

Në vend të saj, pjesëtarë të xhamisë dolën përpara dhe e çarmatosën atë me disa fjalë impresive që ia shpëtuan jetën.

McKinney ka treguar se ai ishte i trajnuar t’i shihte ushtarët irakianë dhe taleban jo si qenie njerëzore por si caqe letre në një poligon. Kur u kthye në shtëpi ai u zhyt në alkool për t’i shtypur eksperiencat e luftës.

Duke parë myslimanë, atij iu rishfaq dhimbja që ndjente në luftë. E urrente prezencën e tyre në Muncie sepse i dukej si përqeshje për sakrificën që ai dhe shokët e tij të luftës kishin bërë në Irak dhe Afganistan.

“Nuk doja ta ndaja. E shihja Amerikën si timen. Derdha gjak për të. Ishte si një gjë ‘Ti nuk e ke vendin këtu’”, është shprehur ai.

Ai tregoi tutje se filloi vizitat pak e nga pak në xhami dhe pas tetë muajsh nga vizita e parë, ai u konvertua në islam. Pas ceremonisë, ai u përqafua nga njerëzit të cilët një herë synonte t’i lëndonte. Me kohë, ai madje shërbeu për dy vjet si kryetar i Qendrës Islamike në Muncie.

McKinney ka thënë se nëse njerëzit në xhami do të silleshin me armiqësi ditën e parë kur u takuan, rezultati ndoshta do të kishte qenë gjakderdhja.

Por tani, McKinney nuk është më një i huaj te porta e xhamisë, ai ka gjetur një grup motrash e vëllezërish – jo të një beteje, por të një besimi. /koha

Exit mobile version