Moska vendosi të hapë një korridor tjetër humanitar në qytetin ukrainas të Mariupolit për evakuimin e civilëve dhe shtetasve të huaj me kërkesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
”Moska do të ofrojë ndihmë të plotë në evakuimin e civilëve dhe qytetarëve të huaj në përputhje me kërkesën e presidentit Recep Tayyip Erdogan drejtuar presidentit rus Vladimir Putin”, tha kjo ministria.
Në deklaratë thuhet se më 3 prill në orën 00:00, korridori humanitar nga Mariupoli në Berdyansk u hap dhe u garantua respektimi i rreptë i regjimit të heshtjes në rrugën e lëvizjes.
Regjimi i heshtjes do të thotë armëpushim për një periudhë të caktuar në zona të caktuara për evakuimin e civilëve.
”Shtetasit e huaj mund të udhëtojnë nga Berdyansk në zonat e kontrolluara nga Ukraina ose në Krimenë e kontrolluar nga Rusia”, thuhet në deklaratë.
Moska tha se Kievi duhet të bëjë një deklaratë me shkrim te palët ruse dhe turke si dhe te Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe te UNHCR-ja, se do t’i përmbahet regjimit të heshtjes.
Të paktën 1 325 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2 017 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifrat e vërteta dyshohet të jenë shumë më të larta.
”Më shumë se 4,1 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vende të tjera, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit”, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët. /atsh
