Masa ekstreme sigurie për samitin e G20-s

Kryeqyteti italian do të forcojë në mënyrë ekstreme sigurinë për një samit dyditor të udhëheqësve të G20-s që zhvillohet në fund të muajit, deklaroi Ministria e Brendshme italiane.

Pesëqind ushtarë të tjerë do të vendosen në Romë, ndërsa më 30 dhe 31 tetor mbikëqyrja e hapësirës ajrore të qytetit dhe e objektivave të ndjeshme gjithashtu do të intensifikohen.

Policia gjithashtu do të rrisë monitorimin e disa faqeve të internetit dhe medieve sociale.

Gazeta ”La Repubblica” shkroi se Roma do të ishte e blinduar dhe se do të kishte një zonë të madhe të ndaluar rreth vendit të zhvillimit të samitit.

Të shtunën e kaluar një demonstratë kundër kufizimeve të qeverisë për koronavirusin u përshkallëzua në dhunë.

Protestuesit u përleshën me policinë dhe disa sulmuan selinë e konfederatës sindikale CGIL.

Midis tyre ishin mbështetës të partisë së ekstremit të djathtë ”Forza Nuova”, ku disa persona mbetën të plagosur. /atsh